Isa Sadriu kujton Vokrrin: Fadil, mbas loje, jemi mërzitur, po ecim për Kosovë, po shkojmë te familjet
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Isa Sadriu kujton Vokrrin: Fadil, mbas loje, jemi mërzitur, po ecim për Kosovë, po shkojmë te familjet
isa sadriu
09/06/2026 - 15:48
Linku u kopjua

Në përvjetorin e tetë të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kosovar dhe shqiptar, Fadil Vokrri, ish-bashkëlojtari i tij Isa Sadriu duke folur për KosovaPress, ka ndarë kujtime emocionuse e vlerësime të larta për figurën e tij, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

Sadriu e përshkroi Vokrrin si një ndër futbollistët më të mëdhenj që ka njohur Kosova, por edhe si një lider të jashtëzakonshëm gjatë kohës sa drejtoi Federatën e Futbollit të Kosovës. Ai theksoi se kontributi i Vokrrit ka qenë vendimtar në afirmimin ndërkombëtar të futbollit kosovar, përfshirë pranimin në UEFA dhe FIFA.

“Ishte një person si futbollist jashtëzakonisht i famshëm, po edhe si president i një institucioni shumë të madh këtu tek ne, domethënë Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilën e udhëhoqi me plot sukses dhe e la në duar shumë të sigurta me pasardhësit e tij, të cilët të gjithë futbollistët mbarë, domethënë jo vetëm të Kosovës por edhe në diasporë që kanë lindur, kosovarët që kanë lindur, janë duke ecur përpara falë punës që po bëhet është bërë në krye me Fadil Vokrrin edhe tash po bëhet në krye me Agim Ademin”, u shpreh Sadriu.

Ai shtoi se falë punës dhe vizionit të Vokrrit, sot futbollistët kosovarë janë të pranishëm në pothuajse çdo ligë evropiane, ndërsa gjeneratat e reja po përfitojnë nga rruga që ai hapi.

Sadriu ndau edhe një kujtim personal nga koha kur ishin bashkëlojtarë te Partizani i Beogradit. Ai rrëfeu një moment të veçantë, kur pas një fitoreje 3-0 ndaj Sloboda Tuzlës, ku Vokrri realizoi dy gola, të dy u kthyen për disa orë në Kosovë për të takuar familjet.

“Momenti që nuk e harroj kurrë, domethënë unë isha në klubin e futbollit të Partizanit të Beogradit. Mbas diku shtatë muajve nga Prishtina kaloi në Partizan të Beogradit edhe Fadil Vokrri, ku ishim bashkëlojtarë në Beograd. E kishim futbolli e ka një jetë shumë të vështirë, domethënë je larg, gjithmonë larg familjes. Kështu që, iu luta Fadilit, kishim një ndeshje me Sloboda e Tuzlës në Bosnjë dhe Hercegovinë. I thashë “Fadil, thashë mbas loje, jemi mërzitur, po ecim mbas loje për Kosovë, po shkojmë te familjet”. Tha: “Isa, që fitojmë sot, tha po shkojmë”. Falë Fadil Vokrrit fituam 3-0, dy gola i bëri Fadil Vokrri edhe po të them gëzimin më të madh që kam pasur, unë isha i ri në atë kohë, e kam pasur kur fituam 3-0, po ashtu edhe Fadili i bëri dy gola shumë të bukur. Kështu që, unë me të menjëherë mbas loje erdhëm, diku kemi ndenjur tri-katër orë me familjet tona në Kosovë, edhe të kthehemi përsëri për të vazhduar përgatitjet për ndeshjet e tjera”, kujtoi ai.

Duke folur për stilin e tij në fushë, Sadriu e përshkroi Vokrrin si “një enigmë të pandalshme për mbrojtjet kundërshtare”, duke theksuar se ishte pothuajse e pamundur t’i merrej topi në zonën e rrezikut.

Në fund, ai nënvizoi se trashëgimia e Vokrrit vazhdon të jetojë përmes punës së Federatës dhe drejtuesve aktualë, duke i hapur rrugë një të ardhmeje edhe më të ndritur për futbollin kosovar.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026