Manchester City ka shprehur interesim për transferimin e sulmuesit të ri të Paris Saint-Germain, Ibrahim Mbaye, gjatë afatit kalimtar të verës, raportojnë mediat franceze.
Kampioni anglez e ka përfshirë 18-vjeçarin në listën e objektivave të tij, ndërsa PSG është i gatshëm të dëgjojë oferta për lojtarin.
Reprezentuesi i Senegalit konsiderohet një nga talentet premtues në repartin ofensiv. Ai ka regjistruar 42 paraqitje me fanellën e PSG-së, duke shënuar katër gola dhe duke kontribuar me katër asistime. Edhe pse statistikat nuk janë mbresëlënëse, drejtuesit e klubeve të interesuara vlerësojnë shpejtësinë, aftësinë në duelet një kundër një dhe potencialin e tij për zhvillim.
Interesimi i Manchester Cityt vjen në një periudhë kur priten ndryshime në repartin ofensiv të skuadrës së Pep Guardiolës. Me largimin e Bernardo Silvës dhe spekulimet për një transferim të mundshëm të Savinhos, klubi anglez po shqyrton opsione për të forcuar të ardhmen e sulmit.Për PSG-në, shitja e lojtarit mund të jetë një mundësi për të përfituar financiarisht nga një futbollist që e ka të vështirë të sigurojë minuta të rregullta në ekipin e parë.
Nëse Manchester City vendos të konkretizojë interesimin, pritet të jetë një investim afatgjatë, me synimin që Mbaye të zhvillohet dhe të shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të projektit të klubit në vitet e ardhshme.