​Scaloni: Nuk hyjmë në fushë duke menduar se është finale e Kupës së Botës
5-Fifth
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
​Scaloni: Nuk hyjmë në fushë duke menduar se është finale e Kupës së Botës
lionel scaloni
18/07/2026 - 12:35
Linku u kopjua

Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka deklaruar se skuadra e tij nuk do ta trajtojë ndryshe finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, duke theksuar se çelësi i suksesit do të jetë përqendrimi dhe paraqitja në nivelin më të lartë.

Në konferencën për media para finales së së dielës në stadiumin “MetLife” në New Jersey, Scaloni tha se Argjentina është përgatitur njësoj si për çdo ndeshje tjetër.

“Përgatitemi njësoj si për çdo ndeshje. Analizojmë kundërshtarin, shohim se çfarë mund të bëjmë gjatë lojës. Përtej faktit që është një finale, në fund të fundit mbetet një ndeshje futbolli”, deklaroi ai.

Sipas tij, kampionët në fuqi duhet të japin maksimumin nëse duan ta mbrojnë titullin.

“Duhet të jemi në nivelin tonë më të mirë për të fituar. Nuk hyjmë në fushë duke menduar se është finale e Kupës së Botës, sepse kështu mund ta humbasësh fokusin”, tha Scaloni.

Trajneri argjentinas u shpreh i kënaqur me paraqitjet e ekipit gjatë turneut, duke veçuar pjesën e dytë të gjysmëfinales ndaj Anglisë.

“Mendoj se skuadra ka treguar gjëra shumë pozitive, sidomos në ndeshjet e fundit. Gjithmonë ka vend për përmirësim, por po ecim mirë dhe do të përpiqemi ta fitojmë finalen”, shtoi ai.

Scaloni vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve argjentinas, duke thënë se skuadra luan për ta.

“Kur i sheh njerëzit duke festuar dhe duke u gëzuar, është e pamundur të mos emocionohesh. Ne luajmë për popullin tonë, për familjet tona. Kemi rikthyer diçka shumë të vlefshme, që tifozët e Argjentinës bashkohen për kombëtaren, pavarësisht rivaliteteve mes klubeve”, u shpreh ai.

Duke folur për kundërshtarin, Scaloni tha se Argjentina dhe Spanja kanë ngjashmëri në stilin e lojës, pasi të dyja kombëtaret ndërtojnë aksionet përmes posedimit të topit.

“Kemi një qasje të ngjashme. Të dyja skuadrat përpiqen të dominojnë përmes posedimit të topit. Shpresoj që të dielën të shohim një spektakël të madh”, deklaroi ai.

Ai theksoi se përvoja nuk do të jetë faktor vendimtar në finale.

“Spanja ka futbollistë që kanë luajtur në skenat më të mëdha dhe janë liderë te klubet e tyre. Kur fillon ndeshja, futbollistët harrojnë presionin. Nuk besoj se kjo do të jetë një disavantazh për ndonjërën skuadër”, tha Scaloni.

Përzgjedhësi argjentinas konfirmoi se stafi i tij e ka analizuar në detaje lojën e Spanjës.

“E njohim mënyrën se si luajnë dhe pikat e tyre të forta. Do të përpiqemi t’i neutralizojmë. Nuk është mirë ta analizosh kundërshtarin më shumë sesa duhet, por jemi të përgatitur”, shtoi ai.

I pyetur nëse kjo mund të jetë Kupa e fundit e Botës për Lionel Messin, Scaloni nuk dha një përgjigje të prerë.

“Nuk e di. Duhet ta pyesni atë. Messi vazhdon të na befasojë gjithmonë”, deklaroi ai.

Megjithatë, ai nuk kurseu fjalët për kapitenin argjentinas, duke e cilësuar atë si legjendën më të madhe të futbollit.

“Ai është histori. Është legjendë. Të arrijë në një finale të Kupës së Botës në moshën 39-vjeçare është diçka e jashtëzakonshme. Duhet ta shijojmë këtë moment dhe të vlerësojmë gjithçka që po bën. Për mua, ai është futbollisti më i mirë që ka parë ndonjëherë bota”, përfundoi Scaloni.

Finalja e Kupës së Botës 2026 ndërmjet Argjentinës dhe Spanjës zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin “MetLife” në New Jersey, me fillim nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Argjentina synon të mbrojë titullin botëror, ndërsa Spanja kërkon trofeun e dytë në histori.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026