Institucionalizimi dhe fuqizimi i integritetit mbetet prioritet në ndërtimin dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës (PK). Ky institucion i sigurisë deri më tash ka hartuar dy plane për fuqizimin e integritetit me qëllim të forcimit të kulturës organizative kundër korrupsionit dhe rritjes së kapaciteteve institucionale për parandalimin e dukurive negative, të cilat mund të cenojnë integritetin e tij.
Me ndryshimet e strukturës organizative brenda saj, në fillim të vitit 2019, Policia e Kosovës ka krijuar Sektorin e Integritetit në kuadër të Divizionit të Standardeve Profesionale dhe bazuar në strukturën organizative janë paraparë edhe zyrtarët e integritetit.Ngritja e vetëdijesimit për integritetin dhe etikën në polici, fuqizimi i kontrollit të brendshëm në identifikimin dhe mënjanimin e parregullsive në punë, ngritja e profesionalizmit dhe integritetit si dhe zhvillimi profesional i personelit në fushat dhe sektorët specifikë, parandalimi i konfliktit të interesit, vlerësimi i akteve të brendshme normative të organizatës në aspektin e parandalimit të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe forcimin e integritetit, fuqizimi i parimit të objektivitetit, paanshmërisë dhe transparencës janë pesë objektivat e planit për fuqizimin e integritetit 2021-2025.
Në Policinë e Kosovës thonë se janë diku 37 aktivitete që janë të përfshira për secilin objektiv dhe secili objektiv i dedikohet njësiteve të cilat kanë për t’i zbatuar e që lidhen me realizimin e atij objektivi.Sipas tij, plani i integritetit e fuqizon shumë edhe aspektin e inspektimit, të auditimit dhe të mbikëqyrjes të drejtpërdrejtë.
“Policia e Kosovës deri më tani i ka hartuar dy plane për fuqizimin e planit të integritetit. Njëri plan është i vitit 2018-2019, ka qenë me afat dyvjeçar. Ky që tash jemi duke e zbatuar është i vitit 2021-2025. Do të thotë ne jemi në vitin e tretë të zbatimit të planit të integritetit... Policia e Kosovës në vitin 2018 ka paraparë një sektor të quajtur sektori i integritetit... Këtë planin e dytë kur e kemi bërë draftimin, kemi bërë përpjekje t’i ndjekim edhe politikat e shteteve të tjera të cilat e zbatojnë këtë plan, mirëpo ka rastisur që në kohën e pandemisë është dashur të merremi me këtë çështje dhe nuk kemi pasur shumë mundësi të merremi me këtë çështje dhe nuk kemi pasur shumë mundësi të marrim përvoja të shteteve të tjera”, thotë ai.
Në kuadër të këtij plani thuhet po ashtu se Policia e Kosovës duhet të punojë më shumë në hartimin dhe azhurnimin e procedurave të punës, për krijimin e rrethanave që punonjësit të trajnohen për kryerjen e punës me integritet të lartë, ndërmarrjen e masave shtesë për forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatueshmërisë së detyrave nga punonjësit e policisë.
“Vlerësojmë se edhe nga miqtë ndërkombëtarë, por edhe nga organizatat ndërkombëtare, kemi marrë një kritikë të mirë sa i përket planit për fuqizimin e integritetit. Mundemi lirisht t’iu themi se DIKAF-i na ka njoftuar që plani ynë është marrë si model në shtetet të cilat nuk e kanë hartuar ende planin e integritetit, përfshirë edhe Shqipërinë, të cilët i kemi pasur mysafirë dhe iu kemi dhënë përvojën tonë... Ne është dashur të kujdesemi që rrjedhja e procesit të shkojë deri tek zyra e fundit në polici dhe për këtë arsye Sektori i Integritetit e ka hartuar një udhëzues për mënyrën e raportimit për realizimin e planit për fuqizimin e integritetit, udhëzues që iu ka ndihmuar shumë të gjithë atyre raportuesve që më lehtë të raportojnë”, thekson ai.
Për rëndësinë e zbatimit të këtij plani flet edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ibishi thekson se përkundër ngecjeve në të kaluarën ka avancim të punës në Policinë e Kosovës.
“Edhe pse ka pasur shumë ngecje në zbatimin e planit të integritetit, sidomos nga ana e Departamentit për Verifikim dhe Integritet, sepse s’ka funksionuar në mënyrën e duhur, tash me miratimin e këtyre standardeve ka avancim të punës në inspektorat dhe polici, rastet e simulimit, që kanë rezultuar me rezultate korruptive, në trafik dhe në kufi. Realisht, ka dhënë rezultate shumë të mira”, thotë ai.
“Integriteti është çështje e rëndësishme që duhet të trajtohet në Policinë e Kosovës dhe besoj që edhe nëpërmjet kësaj rubrike që po flasim, do të ishte mesazh i mirë për Policinë e Kosovës që të fokusohet në plotësimin e legjislacionit sekondar për realizimin e planit të integritetit në Policinë e Kosovës”, thotë Qalaj.
Qalaj, anëtar edhe i Komisionit parlamentar për Siguri, thotë se Norvegjia është një nga shtetet që mund të shërbejnë si model sa i përket zbatimit të planit të integritetit.Ndërsa në Polici thonë se plani tashmë ka dhënë rezultate.
Kolonel Azizi thotë se synojnë që planin për fuqizimin e integritetit në polici ta shndërrojnë në kulturë organizative.
Shënim: Kjo storie është prodhuar nga OJQ “Qendra për Inovacion dhe Zhvillim” me mbështetjen financiare të EULEX Kosovë. Përmbajtja e tij nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe opinionet e EULEX-it në Kosovë.