Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në kuadër të takimeve që po zhvillon në Strasburg, takoi Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Theodoros Roussopoulos, me të cilin diskutuan rreth finalizimit të procesit të anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla e shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ambasadori Lulzim Hiseni shprehën mirënjohjen e thellë për rolin dhe mbështetjen e Presidentit në sigurimin e një procesi të drejtë dhe meritokratik brenda PACE.
Sipas komunikatës së Ministrisë së Jashtme, Gërvalla nënvizoi rolin thelbësor të Presidentit të PACE në bashkëpunimin me Komitetin e Ministrave për të siguruar që anëtarësimi i Kosovës në KiE të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje të plotë me opinionin e PACE.