Pjesëmarrja e grave vlerësohet të ketë rol kyç në zhvillimin e sportit
Sport
Lexohet për: 4 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua
Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar konferencën e 7-të “Barazia Gjinore dhe Diversiteti”, me temën “Loja e barabartë – gratë në udhëheqje”. Rëndësia e rritjes së numrit të grave të përfshira në sport por edhe në fusha të tjera u cilësua jetike për zhvillimin e fushës së sportit por jo vetëm në të ardhmen.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se ky institucion është bërë lokomotivë e promovimit të rolit të gruas në sport dhe se gratë janë model për gjeneratat e ardhshme.
“Komiteti Olimpik i Kosovës është bërë një lokomotivë e promovimit të rolit të gruas në sport duke fuqizuar dhe mbështetur femrat për të ndërtuar karrierë dhe për të marrë përgjegjësi që lënë gjurmë në komunitetin tonë dhe më gjerë. Për ne gratë nuk janë vetëm përfaqësuese në sport, por lider dhe model për gjeneratat e ardhshme”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, Drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, theksoi se në zhvillimin e sportit rol vendimtar ka edhe pjesëmarrja e grave.
“Për ne është shumë e rëndësishme sepse pjesëmarrja e femrës në sport luan rol kyç në zhvillimin duke pasur edhe suksese të cilat janë vetëm të dukshme tashmë që kemi edhe medalje olimpike që vetëm femrat na i kanë sjellë”, theksoi Alaj.
Gjatë diskutimit në panel, Linda Shala nga Federata e Basketbollit të Kosovës tha se historikisht ka pasur diskriminim në përfshirjen e grave në sport, pro se tani kjo situatë po ndryshon, por që ka ende shumë punë për të bërë.
“Pjesëmarrja e grave në sport nuk është për t’u dëshiruar. Unë jam në sportin e Kosovës, kryesisht në basketboll jam angazhuar për shumë vite në zhvillimin e basketbollit të Kosovës edhe aty angazhimi im ka filluar si një sponsor i një klubi dhe kjo mendoj që është një ndër arsyet që unë sot jam këtu dhe mendoj që fuqizimi ekonomik i grave në përgjithësi, por edhe fuqizimi ekonomik i sportisteve dhe garueseve, por edhe komplet strukturës janë në kuadër të zhvillimit të një sporti është shumë i rëndësishëm për ta zënë ato vendin e duhur”, deklaroi Shala.
Jennifer Laëson, Drejtoreshë në Zyrën Publike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha se kjo ambasadë përmes programeve të ndryshme harton politika për mbështetjen e grave në sport.
“Ne kemi një zyrë të tërë, një zyrë të tërë në Uashington DC, e cila është Byroja e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore, kam punuar edhe atje, dhe ato janë të përkushtuara për këto lloj programesh shkëmbimi, duke përfshirë diplomacinë sportive, dhe ajo që ata thonë është, ‘nëse mund të djersijmë së bashku, ne mund të punojmë së bashku, ne mund të rritemi së bashku’, dhe kështu është përmes mbështetjes sonë për diplomacinë sportive dhe veçanërisht për vajzat dhe gratë. Është një program që ne e drejtojmë dhe në të cilin disa prej jush kanë qenë...Tashmë kemi pesë femra kosovare që marrin pjesë në këtë program, dhe është një mundësi e shkëlqyer profesionale për të takuar bashkëmoshatarë, për të mësuar, për t'u mentoruar gjithashtu për të mentoruar, për të shkëmbyer informacione dhe për t'i kthyer ato dhe për të investuar në komunitetet këtu në Kosovë”, tha Laëson.
Qëllimi i kësaj konference është të promovojë dhe nxisë rritjen dhe përfshirjen e vajzave dhe grave në sport, si dhe në fusha të ndryshme, përfshirë edukimin, ekonominë, inovacionin, shkencën, shëndetësinë, barazinë gjinore, median dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fëmijëve.