Sulmuesi brazilian Neymar ka reaguar ndaj kritikave për gjendjen e tij fizike, duke deklaruar se ka bërë maksimumin për t’u rikthyer në formën më të mirë dhe për të siguruar një vend në listën e trajnerit Carlo Ancelotti për Kupën e Botës.
Ylli i Santosit mungon me kombëtaren e Brazilit që nga viti 2023 për shkak të lëndimeve serioze dhe operacionit në gju, i cili e la jashtë fushës për rreth një vit. Pas humbjes 3:0 ndaj Coritiba Foot Ball Club, Neymar tha se rikthimi nuk ka qenë aspak i lehtë.
Ai shtoi se ka punuar në heshtje për t’u rikuperuar plotësisht dhe se tashmë ndihet i kënaqur me paraqitjet e tij. “Kam arritur aty ku doja të isha, i shëndoshë dhe i gatshëm. Çfarëdo që të ndodhë, Ancelotti do t’i zgjedhë 26 lojtarët më të mirë për këtë sfidë”, u shpreh braziliani.
34-vjeçari ishte gjithashtu protagonist i një momenti tensioni gjatë ndeshjes së fundit, pasi protestoi ashpër pas një zëvendësimi të gabuar. Ndërkohë, Ancelotti pritet të shpallë listën e Brazilit për Kupën e Botës gjatë ditës së hënë.