Skuadra norvegjeze Bodo/Glimt po vazhdon një nga historitë më të bukura të këtij sezoni në Ligës së Kampionëve, pasi shkatërroi 3-0 Sportingun në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të zhvilluar në stadiumin Aspmyra Stadion. Norvegjezët regjistruan fitoren e pestë radhazi në këtë kompeticion, duke hedhur një hap gjigant drejt çerekfinales.
Debutimi historik i Bodo/Glimt në këtë fazë të garës po kthehet në një rrëfim të jashtëzakonshëm, sidomos pasi më herët eliminuan finalistët e sezonit të kaluar, Interin. Përballë një Sportingu që synonte çerekfinalen e parë evropiane pas më shumë se katër dekadash, skuadra e trajnerit Kjetil Knutsen tregoi karakter dhe dominim që nga minutat e para.
Sportingu i drejtuar nga Rui Borges tentoi të reagojë në pjesën e dytë dhe ishte pranë golit me Luis Suárez, por çdo shpresë për rikthim u shua kur Kasper Høgh përfitoi nga krosi i Jens Petter Hauge dhe shënoi golin e tretë që vulosi fitoren spektakolare të norvegjezëve.
Me këtë triumf bindës, Bodo/Glimt është shumë pranë një arritjeje historike, pasi mund të bëhet vetëm skuadra e dytë nga Norvegjia që arrin çerekfinale, pas Rosenborg BK në sezonin 1996/97. Ndërkohë, për Sportingun situata duket e zymtë, pasi portugezët vazhdojnë të kenë probleme serioze në ndeshjet eliminatore jashtë fushe në Evropë.