Mitrovicaset sonte përballë Ludogoretsit për një vend në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Mitrovicaset sonte përballë Ludogoretsit për një vend në raundin e dytë të Ligës së Kampioneve
Klubi i Futbollit Mitrovica për vajza do të zhvillojë sonte ndeshjen finale të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampioneve të Vajzave, ku do të përballet me kampionen e Bullgarisë, Ludogorets.
Takimi do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00, ndërsa fituesi i kësaj sfide do të sigurojë kualifikimin në raundin e dytë të garave, duke vazhduar rrugëtimin në elitën e futbollit evropian për klube në konkurrencën e femrave.
Skuadra mitrovicase vjen në këtë finale me moral të lartë, pasi në gjysmëfinale dhuroi një paraqitje spektakolare duke shënuar fitore bindëse 10-0, rezultat që konfirmoi dominimin e kampioneve të Kosovës dhe ngriti pritshmëritë për një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare.
Përballë tyre do të jetë Ludogoretsi, që gjithashtu siguroi me meritë kalimin në finale, duke e bërë sfidën e sontme vendimtare për vazhdimin e garës.
Ndeshja pritet të tërheqë interesim të tifozëve, të cilët do të kenë mundësinë të mbështesin nga afër kampionet e Kosovës në përpjekjen për të shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në futbollin e femrave.
KosovaPress