​Mesfushorja kosovare Lumbardha Misini bëhet pjesë e Bayer Leverkusenit
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Mesfushorja kosovare Lumbardha Misini bëhet pjesë e Bayer Leverkusenit
lumbardha misini
09/07/2026 - 14:39
Linku u kopjua

Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u transferuar te skuadra gjermane Bayer Leverkusen.

Klubi nga Bundesliga e Femrave ka njoftuar se mesfushorja 23-vjeçare i është bashkuar ekipit nga kampioni zviceran Servette, ndërsa ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2029.

Drejtori sportiv i Bayer Leverkusenit për ekipin e femrave, Achim Feifel, e vlerësoi lart Misinin, duke theksuar se ajo është një lojtare me forcë të madhe mendore, e fortë në duele, me intensitet të lartë dhe aftësi të mira për të lexuar lojën.

“Lumbardha ka dëshmuar veten në çdo klub ku ka luajtur dhe ka fituar shpejt përvojë ndërkombëtare. Ajo pritet të jetë motori i mesfushës sonë dhe të luajë rol kyç në lidhjen mes mbrojtjes dhe sulmit. Fakti që një futbolliste e profilit të saj ka zgjedhur Bayer Leverkusenin është një sinjal shumë pozitiv për klubin tonë”, ka deklaruar Feifel.

Misini e nisi karrierën në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa në vitin 2024 u transferua te Trabzonspor në Superligën e Turqisë. Një vit më vonë iu bashkua Servette, me të cilin regjistroi 15 paraqitje në sezonin kur skuadra fitoi titullin e kampiones së Zvicrës.

Pas zyrtarizimit të transferimit, Misini u shpreh e lumtur për kapitullin e ri në karrierën e saj.

“Jam shumë e lumtur për këtë sfidë te një klub kaq i madh dhe në një nga ligat më të forta në botë. Dua të jap maksimumin me energji dhe pasion. Granit Xhaka është idhulli im. Ai më ka frymëzuar dhe familjes sime i kam thënë prej kohësh se një ditë do të luaj edhe unë te Bayer Leverkuseni. Besoj se me këtë skuadër mund të arrijmë gjëra të mëdha”, ka deklaruar Misini.

Mesfushorja kosovare numëron gjithashtu 28 paraqitje me fanellën e Kombëtares së Kosovës.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026