​Mehmetaj dënohet nga Gjykata në Serbi, reagon Konjufca
Lajme
Lexohet për: 3 min.
mehmetaj
6 ditë më parë
Linku u kopjua

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999. Ekipi i tij mbrojtës ka paralajmëruar se do ta apelojë këtë vendim.

Gjykata e Lartë e Serbisë tha se ka konstatuar se Mehmetaj në qershor të vitit 1999 kishte marrë pjesë në rrëmbimin e civilit me kombësi rome, Jelaj Ramadan, mbetjet mortore të të cilit ende nuk janë gjetur.

Sipas pretendimeve të gjykatës, bashkë me Mehmetajn kanë qenë edhe anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në vendimin e gjykatës u tha po ashtu se Mehmetaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe në atë kohë lëvizte në fshatin Rudicë me uniformë të UÇK-së.

Për këtë rast, Gjykata e Lartë tha se kanë qenë gjashtë dëshmitarë, dy nga të cilit ishin të pranishëm në fshatin Rudicë në atë kohë.

Në aktakuzën ndaj Mehmetajt thuhej se në mes të qershorit të vitit 1999, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Dashiq dhe në fund të qershorit, kishte marrë pjesë në vrasjen e Jelaj Ramadanit dhe Zorka Shijakoviqit.

Gjykata e Lartë e Beogradit tha se nuk është dëshmuar pjesëmarrja e tij në vrasjen e anëtarëve të familjes Dashiq dhe Zorka Shijakoviqit, si dhe nuk është dëshmuar që Mehmetaj, në korrik të vitit 1999, kishte marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e dhjetë shtëpive në fshat që i përkisnin joshqiptarëve.

Avokati i Nezir Mehmetajt, Milliq Konstantinoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se do ta apelojë vendimin, pasi, sipas tij, gjykata nuk ka prova relevante për asnjë pikë të aktakuzës.

Ai tha se gjykata nuk i ka pranuar provat që janë paraqitur nga mbrojtja, e të cilat, sipas tij, tregojnë se Mehmetaj nuk ka qenë fare në Rudicë në kohën që përmendet në aktakuzë, por ka qenë në Zvicër.

Gjykata duket qartë se e ka bazuar vendimin në dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka dhënë një deklaratë shumë të diskutueshme në Prokurori. Bëhet fjalë për një person që në kohën e këtyre ngjarjeve ishte 14 vjeç”, tha Konstantinoviq.

Ai shtoi se gjatë gjykimit, mbrojtja ka theksuar se Mehmetajt nuk mund t’i vihet barra për veprimet që kanë ndodhur pas qershorit të vitit 1999, kur lufta kishte përfunduar.

Lidhur me dënimin e Mehmetajt ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se sot pas një arrestimi në vitin 2020, pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me 6 vite burg.

“Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër. E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024