E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi është vënë në pikëpyetje pas paraqitjeve jo bindëse, ndërsa sipas asaj që raporton “Calciomercato”, drejtuesit e klubit po reflektojnë seriozisht mbi vendimet që duhet të marrin për të shmangur një humbje të konsiderueshme financiare. Ndeshja ndaj Bolonjës duket se ka qenë një moment kyç, ku anësori kosovar nuk arriti të shfrytëzojë mundësinë e dhënë.
“I futur në lojë në minutën e 72-të në vend të Francisco Conceição, Zhegrova bëri disa veprime që irrituan trajnerin Luciano Spalletti. Me skuadrën në epërsi 2-0, ai humbi disa topa dhe realizoi krosime të nxituara, duke rrezikuar balancën e ekipit dhe duke i dhënë mundësi kundërshtarit për kundërsulme. Reagimi i stafit teknik ishte i dukshëm, duke reflektuar pakënaqësinë për zgjedhjet e tij në fushë”, shkruan ‘CM’.
Sipas burimeve pranë lojtarit, Zhegrova ka kërkuar nga agjentët e tij të mos nxitojnë me oferta të mundshme, pasi dëshiron të fitojë më shumë minuta dhe të dëshmojë se mund të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Juventusit. Megjithatë, mundësitë deri në fund të sezonit pritet të jenë të kufizuara, duke e bërë çdo paraqitje vendimtare për të ardhmen e tij.
Nga ana financiare, situata është gjithashtu delikate. Juventusi e bleu Zhegrovën për 14.3 milionë euro, me shtesa dhe bonuse që mund ta çojnë totalin deri në rreth 18 milionë euro, ndërsa për të shmangur një humbje kapitale, klubi duhet ta shesë për të paktën 11.4 milionë euro. Drejtuesit kanë shqetësime jo për cilësitë teknike të lojtarit, të cilat konsiderohen të padiskutueshme, por për vendimmarrjen e tij në fushë dhe aspektin e personalitetit në momente kyçe.