Marrëveshje e përfunduar: ‘La Joya’ qëndron te Roma
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Marrëveshje e përfunduar: ‘La Joya’ qëndron te Roma
Paulo Dybala do të vazhdojë të jetë pjesë e Romës. Sulmuesi argjentinas ka arritur marrëveshje të plotë me klubin për rinovimin e kontratës, ndërsa mbetet vetëm njoftimi zyrtar nga drejtuesit e klubit italian.
Palët kanë finalizuar edhe detajet e fundit që lidhen me bonuset, duke i hapur rrugë zyrtarizimit të marrëveshjes.
Trajneri Gian Piero Gasperini e ka konsideruar Dybalan një nga pikat kyçe të projektit të tij, pavarësisht problemeve fizike që e kanë shoqëruar argjentinasin gjatë sezonit. Për këtë arsye, ai kishte kërkuar nga pronarët e klubit, vazhdimin e bashkëpunimit me futbollistin.
Dybala pati rol të rëndësishëm në rikthimin e Romës në Ligën e Kampionëve. Në ndeshjen vendimtare ndaj Veronës, ku verdhekuqtë siguruan fitoren dhe vendin e tretë në Serie A, ai ishte një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës.
Sezonin e kaluar, 31-vjeçari regjistroi 27 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar tre gola dhe tetë asistime. Megjithatë, statistikat nuk pasqyrojnë plotësisht ndikimin e tij në lojën e Romës, pasi lëndimet ia kufizuan vazhdimësinë gjatë edicionit.
Me rinovimin e kontratës, Dybala pritet të jetë një nga figurat kryesore të Romës në sezonin e ri, ku klubi kryeqytetas do të garojë edhe në Ligën e Kampionëve.
KosovaPress