​Kosova mirëpret Kampionatin Ballkanik U17 për vajza në volejboll
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Kosova mirëpret Kampionatin Ballkanik U17 për vajza në volejboll
kampionati ballkanik
21/07/2026 - 08:46
Linku u kopjua

Ferizaj sot bëhet qendra e volejbollit ballkanik me fillimin e Kampionatit Ballkanik U17 për vajza, i cili do të zhvillohet deri më 25 korrik në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton”.

Nën organizimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës dhe me mbështetjen e Balkan Volleyball Association, në këtë kampionat marrin pjesë gjashtë kombëtare Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Turqia, Mali i Zi dhe Moldavia.

Kombëtarja e Kosovës U17 hyn në këtë kampionat pas një periudhe përgatitore intensive, gjatë së cilës volejbollistet e reja zhvilluan grumbullime dhe stërvitje në Skenderaj, si dhe ndeshje kontrolluese, me synimin për t’u paraqitur sa më mirë para publikut vendas.

Ndeshjet e ditës së parë nisin në orën 15:00, kur përballen Turqia dhe Moldavia, ndërsa në orën 17:30 do të luajnë Bullgaria dhe Shqipëria. Takimi që pritet me interesin më të madh është ai i orës 20:00, ku Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Malin e Zi.

Gjatë pesë ditëve të kampionatit, Kosova do të zhvillojë gjithsej pesë ndeshje. Pas sfidës së sotme me Malin e Zi, vajzat e Kosovës do të përballen me Turqinë më 22 korrik, Bullgarinë më 23 korrik, Shqipërinë më 24 korrik dhe Moldavinë më 25 korrik.

Federata e Volejbollit e Kosovës u ka uruar mirëseardhje të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse, delegatëve, gjyqtarëve dhe mysafirëve, duke shprehur besimin se kampionati do të zhvillohet në frymë sportive, me ndeshje cilësore dhe respekt të parimeve të fair-play.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026