​Kërkohet rinovimi i Pallatit të Rinisë, institucionet premtojnë intervenim të shpejtë
Tema
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Numri i madh i ndeshjeve vendore dhe ndërkombëtare që po zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve ka bërë që kjo palestër të demolohet dhe tashmë të mos i plotësojë as kushtet elementare për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Kjo ka bërë që dy prej federatave që kanë numrin më të madh të aktiviteteve në këtë sallë, Federata e Basketbollit dhe ajo e Hendbollit të kërkojnë urgjentisht intervenimin dhe rinovimin e kësaj palestre.

Sekretari i Federatës së Hendbollit, Izet Gjinovci, thotë se zhvillimi i garave ndërkombëtare në Kosovë varet nga kushtet që ofron kjo palestër, madje, ai zbulon se kanë afat nga Federata Evropiane e Hendbollit që palestra të jetë gati më së largu deri më 15 qershor.

“Duke e ditur infrastrukturën, gjendjen e cila është për momentin në të vetmen palestër e cila deri diku i plotëson kushtet për një garë ndërkombëtare, Pallati i Rinisë këtu në Prishtinë, atëherë ka qenë i domosdoshëm një takim, të koordinohemi që ne të kemi një kërkesë që nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës të bëhen intervenimet urgjente që këto gara të kalojnë si është më së miri ngase i kemi edhe afatet e caktuara nga Federata Evropiane ne, me siguri edhe ata i kanë nga FIBA që këto kushte të plotësohen më së largu deri më 15 qershor”, thotë Gjinovci.

Gjinovci për KosovaPress thotë se palestra ka nevojë për rinovim total duke filluar nga parketi e deri tek zhveshtoret.

Se mosrinovimi i kësaj palestre do ta rrezikonte edhe pjesëmarrjen e klubeve kosovare në garat ndërkombëtare që zhvillohen në Kosovë e thotë sekretarja e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku.

Megjithatë, ajo shprehet optimiste se MKRS do të intervenojë në sanimin e kësaj gjendjeje.

Nga Komuna e Prishtinës, thonë se po presin intervenimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Drejtori i Drejtorisë së Sportit në këtë komunë, Granit Rugova, thotë se po bahskëpunojnë me ministrinë përkatëse në mënyrë që të bëhet një rinovim total i Pallatit të Rinisë.

E nga Ministria e Sportit përmes një përgjigje me shkrim kanë konfirmuar për KosovaPress se së shpejti hapet procedura për rinovim të parketit, koshave edhe ulëseve në këtë sallë.

Kujtojmë se gjatë muajit korrik, në këtë palestër do të zhvillohen dy gara ndërkombëtare, Kampionati Evropian i Hendbollit U19, divizioni B për vajza dhe Kampionati Evropian i Basketbollit U16 divizioni C për vajza. /A.Bytyçi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024