Mazhoranca në Kuvendin e Kosovës, momentalisht ka mbetur me vetëm 61 deputetë për të miratuar projektligjet, nga gjithsej 66 sosh sa kishte në fillim. Largimi nga Grupi Parlamentar i deputetëve Haki Abazi dhe Fatmir Humolli, mospjesëmarrja me muaj në votim e deputetes Drita Millaku, si dhe shkuarja në pushim të lehonisë të deputeteve Saranda Bogujevci dhe Tinka Kurti, e ka tkurrur mazhorancën në numra. Kësisoj, mungesa e një deputeti të pushtetit për çfarëdo arsye po e stopon punën e Kuvendit në miratimin e projektligjeve, pasi deputetët opozitarë nuk po marrin pjesë në votim. Në anën tjetër, monitoruesit e punës së legjislativin thonë se edhe ngërçi mes pozitës dhe opozitës për çështjen mjeteve vetanake të komunave, do të pamundësojë miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sfidat brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i pranon edhe vetë shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari-Lila, por ajo kritikon opozitën se po refuzon të kryejë detyrën e vet kushtetuese që të marrin pjesë në votim.
Mirëpo, shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë për KosovaPress, se opozita nuk e ka obligim me ia bërë kuorumin mazhorancës. Ai thekson se mbledhja e dhjetëra pikave që shtyhen seancë pas seance, shpërfaq pazotësinë dhe paaftësinë e mazhorancës në Kuvend.
Ndërkaq, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet për KosovaPress se Kuvendi po çalon në përmbushjen e agjendës legjislative në sesionin pranveror.
Prandaj, Jakaj e sheh të nevojshme daljen nga ngërçi i krijuar në Kuvend, ku pozita duhet të merr iniciativën për konsultime me opozitën për shqetësimet e tyre në Ligjin për Buxhetin.
Megjithatë, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë se do të tentojnë që në ditët kur janë të gjithë deputetët e pozitës në Kuvend, të procedojnë tutje projektligje dhe raporte ku nevojitet shumica e thjeshtë.
Mungesa e kuorumit në vendimmarrje gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka bërë që shtyhen vazhdimisht seancat plenare dhe të grumbullohen pika të shumta të pa shqyrtuara./E.Zeqiri/