Rrugët e shkatërruara në qendër të Mitrovicës, ankohen banorët
Lexohet për: 3 min.
rruget-e-shkaterruara
1 vit më parë
Linku u kopjua

Prej më shumë se dhjetë vitesh,  rrugët "Lah Nimani" dhe "Ali Zeneli" në Mitrovicë ndodhen në gjendje të rëndë.  

Të shkatërruara krejtësisht në të gjithë gjatësinë e tyre, këto rrugë që ndodhen në qendër të qytetit dhe në të cilat jetojnë rreth 900 ekonomi familjare me mbi 5 mijë banorë, janë kthyer në shqetësim për banorët e këtushëm.

Të mbushura me gropa, gjatë gjithë stinës së dimrit janë me ujë dhe baltë, por edhe gjatë stinëve tjera, përveç pluhurit, sa herë që ka reshje shiu, ujërat vërshojnë nëpër këto rrugë, duke u bërë pengesë për këmbësorët, veçanërisht për drejtuesit  e automjeteve.

Rrustem Beqiri, banor i këtushëm, duke folur  për KosovaPress,  rrugën ‘Ali Zeneli’ ku jeton ai, e quan katastrofë.

Ai për të dalë në dyqan ose për ta hedhur bërllokun, detyrohet të mbathë çizme për shkak të gropave në rrugë të cilat janë përplot me ujë, ndërsa sa herë që del me automjet,  thotë se shkon rreth e rrotull dhe shumë më larg, vetëm për t’iu ikur këtyre gropave.

"Katastrofë, unë nuk po mundem me pa midis qytetit këtë rrugë kështu... Veturat po shkatërrohen, unë rreth e rreth po duhet me shku për shkak të gropave", thotë Beqiri.

Edhe Elvane Ferri, banore e kësaj lagjeje, ankohet për gjendjen e rrugës në të cilën jeton, duke thënë se është e tmerrshme që në qendër të Mitrovicës të mbeten rrugët në këtë gjendje.

Ajo fajëson Komunën për mos angazhim në rregullimin e këtyre rrugëve ndër vite.                                                    

"Nuk kam fjalë dhe s’do koment, kjo është tmerr. Në qendër të Mitrovicës me mbet kjo rrugë kështu është e tmerrshme", thotë Ferri.

Se gjendja e mjerueshme e këtyre rrugëve është prej shumë vitesh thotë edhe Ideal Mehmeti, i cili thekson se organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë.

“Kjo rrugë është e tmerrshme, që sa vite është kështu dhe askush nuk ndërmerr asgjë, tmerr”, thotë ai.

Në anën tjetër, Edison Tërnava, drejtor i Urbanizmit në Mitrovicë, ka pranuar se rrugët “Lah Nimani” dhe “Ali Zeneli” në qytetin e Mitrovicës kanë paraqitur sfidë të madhe për komunën ndër vite, për shkak të kontesteve gjyqësore të disa objekteve në atë lagje.

Sipas tij, tashmë veç  pjesa e madhe e objekteve të cilat kanë qenë pengesë janë shpronësuar dhe Komuna ka arritur marrëveshje me pronarët e këtyre pronave për kompensim.

Ai shton se në muajin qershor do të fillojnë punimet në rregullimin e rrugëve të kësaj lagjeje, ndërsa premtoi projekt modern me kosto mbi 1 milion euro i cili do të përfundojë brenda 16 muajve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024