FIFA ka bërë të ditur se ka hapur një hetim pas pretendimeve për abuzim racist ndaj influencuesit amerikan të mediave sociale, IShowSpeed, gjatë ndeshjes që Argjentina e fitoi 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër të premten në kuadër të Kupës së Botës.
IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., 21 vjeç, numëron rreth 57 milionë abonentë në YouTube dhe 53 milionë ndjekës në TikTok. Ai ka transmetuar drejtpërdrejt disa ndeshje të turneut, ndërsa në disa prej transmetimeve të tij janë shfaqur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Milanit, Zlatan Ibrahimoviq.
Në pamjet e publikuara në kanalin e tij në YouTube, IShowSpeed shihet i veshur me fanellën e Kepit të Gjelbër, teksa përfshihet në një përballje verbale me një tifoz të Argjentinës në tribunë.
Në reagimin e saj zyrtar, FIFA ritheksoi se nuk toleron asnjë formë diskriminimi.Ky rast vjen vetëm pak ditë pasi sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe, e cilësoi një senatore nga Paraguai si “të neveritshme” dhe të padenjë për postin që mban, pas komenteve raciste që ajo bëri ndaj origjinës dhe arsimimit të tij.
Senatorja Celeste Amarilla, nga Partia Liberale Radikale e Paraguait, i publikoi komentet e saj në rrjetin social X pas humbjes së Paraguait ndaj Francës në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës.