Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Ky duel konsiderohet si një test i rëndësishëm për Kosovën ndaj një kundërshtari me përvojë në futbollin evropian.
Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. “Dardanët” kishin fituar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1 më 7 shtator 2019, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Plzen kishin pësuar humbje me rezultat identik, më 14 nëntor 2019.
Ndeshjen e dytë miqësore Kosova do ta luajë më 7 qershor kundër Andorrës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Kombëtarja do të grumbullohet më 27 maj në hotelin “Emerald”, derisa këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për vazhdimin e ndërtimit të skuadrës para sfidave në Ligën B, ku Kosova ndodhet në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.