​FBK dënon ashpër sjelljet e pahijshme të tifozëve në gjysmëfinalet e Superligës
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​FBK dënon ashpër sjelljet e pahijshme të tifozëve në gjysmëfinalet e Superligës
fbk reagim
28/04/2026 - 09:52
Linku u kopjua

Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas incidenteve të ndodhura gjatë dy ndeshjeve të para gjysmëfinale të Play-Off-it në Superligë, të zhvilluara në Pejë dhe Mitrovicë, duke i cilësuar ato si të papranueshme.

Sipas FBK-së, gjatë këtyre përballjeve janë evidentuar fyerje të organizuara nga tribunat në drejtim të lojtarëve, sjellje që bie ndesh me parimet bazë të respektit, integritetit dhe fair-play-t në sport.

Federata ka veçuar si shqetësuese rastin e ndeshjes në Pejë, ku përveç thirrjeve fyese nga tifozët, janë përdorur edhe mjetet e zërimit në palestër për të transmetuar mesazhe të papërshtatshme.

“Federata e konsideron veçanërisht të rëndë faktin se në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, përveç fyerjeve nga tribunat, janë përdorur edhe mjetet e zërimit të palestrës për të përçuar mesazhe fyese, pavarësisht paralajmërimeve zyrtare gjatë ndeshjes. Një praktikë e tillë është e papranueshme dhe nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë” – bëhet e ditur në njoftim.

Ndërkohë në njoftim theksohet se përgjegjësia për mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe dinjitoz bie mbi organizatorët, të cilët duhet të kenë kontroll të plotë mbi sistemet e komunikimit dhe sjelljen në palestër.

FBK ka bërë të ditur se tashmë ka ndërmarrë masa disiplinore në përputhje me rregulloret në fuqi dhe paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet në fazat e mbetura të garës.

Më tutje federata shton se çdo përsëritje e sjelljeve të tilla do të ndëshkohet me masa shtesë, duke theksuar përkushtimin e saj për zhvillimin e garave sipas standardeve ndërkombëtare.

Në fund, FBK rikujton se respekti dhe integriteti në sport janë të panegociueshme.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026