Një nga pamjet më të veçanta të Kupës së Botës 2026 deri tani është festimi i tifozëve dhe lojtarëve të Norvegjisë, i njohur si “Viking Row”, një ritual që ka bërë xhiron e botës përmes mediave sociale.
Nga tifozët që tërheqin “rrema” imagjinarë njëzëri në shkallët lëvizëse, deri te qindra persona që e kanë realizuar këtë koreografi në mes të Times Square në New York, norvegjezët kanë mahnitur publikun me mënyrën e tyre unike për të shfaqur identitetin kombëtar.
Kjo koreografi lidhet me historinë e Norvegjisë dhe me trashëgiminë vikinge, pasi vikingët njihen për udhëtimet dhe pushtimet e tyre në Evropë dhe Amerikën e Veriut përmes anijeve me rrema.
Edhe kombëtarja norvegjeze e përqafoi këtë identitet para Botërorit, duke realizuar një fotosesion me veshje tradicionale vikinge, duke theksuar lidhjen e ekipit me historinë e vendit.Pas fitores së madhe 2-1 ndaj Brazilit, ku Erling Haaland shënoi dy gola, ishte pikërisht sulmuesi norvegjez ai që mori rolin e udhëheqësit të festës, duke shijuar momentin historik pasi Norvegjia siguroi vetëm fitoren e dytë në fazën me eliminim direkt në historinë e saj në Kupën e Botës.
“Viking Row” ka sjellë kujtime edhe nga festa e famshme e Islandës, “Viking Thunder Clap”, e cila u bë e njohur gjatë Euro 2016 dhe Kupës së Botës 2018, me duartrokitjet e ngadalta që rriteshin gradualisht deri në një shpërthim të madh energjie.
Torstein Hamran, anëtar i bordit të grupit të tifozëve “Oljeberget Supporterklubb”, ka treguar për FIFA-n se si nisi gjithçka.
Festimi nuk u bë menjëherë fenomen. Ai mori hov gjatë një miqësoreje para turneut kundër Suedisë, kur grupi i tifozëve u shpjegoi të pranishmëve lëvizjet dhe përdori një bri për të sinjalizuar momentin kur duhej të fillonte “ro”.
Më pas, pas fitores së Norvegjisë në raundin e 1/32-tave ndaj Bregut të Fildishtë, lojtarët kërkuan që ta përdornin vetë daullen e tifozëve. Ajo daulle, e cila tani shihet në shumë video virale, i përket Torstein Hamran.
Ndërkohë, krijuesi i kësaj koreografie, Ole Froystad, ka treguar emocionet e tij për ndikimin që ka pasur një ide e krijuar vetëm pak muaj më parë.
“Të dëgjoja njerëzit duke bërtitur ‘ro!’ në rrugët e New York-ut ishte e pabesueshme. Ishte një nga momentet më të mëdha të jetës sime. Tjetri ishte kundër Senegalit, kur lojtarët u ulën dhe realizuan ‘Viking Row’ në mënyrë perfekte në sinkron me tifozët. Pothuajse qava. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë Froystad.
KosovaPress