Batatina godet kritikët e tij: Moralisht nuk jam thyer as në luftë, e lëre më tani
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Batatina godet kritikët e tij: Moralisht nuk jam thyer as në luftë, e lëre më tani
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar se presioni i madh mediatik dhe publik me të cilin është përballur javët e fundit nuk ka ndikuar që ai të dorëzohet moralisht.
Në emisionin SportCast, Batatina, mes tjerash, tha se shumë trajnerë do ta kishin të vështirë të përballonin situatën në të cilën ai është gjendur, duke përmendur analizat, komentet dhe debatet e shumta në media dhe rrjetet sociale.
Sipas tij, karakteri i formuar që nga fëmijëria dhe përvoja e luftës e kanë ndihmuar të mbetet i fortë përballë çdo sfide. Ai theksoi se është e vështirë të thyhen moralisht njerëzit që kanë kaluar periudha të rënda dhe kanë luftuar për liri.
Ai shtoi se forcën psikologjike e ka marrë nga përvoja e luftës dhe se këtë motivim e ka ruajtur gjatë gjithë karrierës së tij, duke e konsideruar krenari të veçantë faktin që ka vazhduar të punojë me të njëjtin përkushtim për më shumë se 17 vjet.
“Ajo pjesë është pjesa kryesore, secili koleg i imi po të ishte në pozitën e Batatinës, do ta kishte vështirë ta përballonte këtë sfidë dhe këtë presion që unë e kam bartur në javët e fundit në Kosovë, ti e di shumë mirë, por ajo pjesa e këtij presioni mediatik që është bërë nëpër media, rrjete sociale, televizione e analiza të ndryshme më ka bërë ai karakteri ime që kam krijuar që nga fëmijëria dhe ideali im ka qenë lufta. Është shumë vështirë, jo vetëm Batatinën, por ushtarët e lirisë është shumë e vështirë të thyhen moralisht për arsye sepse ne nuk jemi thyer moralisht edhe në kohët më të vështira, kur kemi qenë të robëruar dhe unë kam qenë në moshën 20 vjeçare kur e kam parë që moralisht kemi potencial për ta larguar një okupator nga Kosova, kemi besuar dhe sot në liri është shumë vështirë të thyhet Batatina moralisht. Këtë pjesë psikologjike e kam marr nga lufta, e mbaj, e kam vazhduar për 17 vite me motivin dhe krenarinë më të lartë”, tha Batatina në SportCast.
Ndryshe, Llapi kishte rrezikuar rënien nga Superliga e Kosovës, por e siguroi mbijetesën pas ndeshjes se barazhit.