Barcelona mund të mbetet pa një nga objektivat e saj për repartin ofensiv, pasi sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani, është shumë pranë transferimit te Leipzig.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll SPORT, Asllani ka arritur marrëveshje të plotë personale me klubin nga Leipzigu, ndërsa tani pritet që dy klubet të finalizojnë edhe transferimin. Sulmuesi 23-vjeçar ka një klauzolë lirimi prej 29 milionë eurosh.
Interesimi i Asllanit për Barcelonën nuk ka qenë sekret, pasi lojtari ka shprehur më herët simpatinë për klubin dhe ishte i gatshëm të transferohej në “Camp Nou”.
Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës aktualisht janë të fokusuar te sigurimi i një sulmuesi titullar, me Julian Alvarez që mbetet objektivi kryesor për repartin ofensiv. Kjo situatë ka bërë që katalanasit të mos ndërmarrin hapa konkretë për Asllanin.Sipas raportimeve, kontrata e re e Asllanit mund të përfshijë edhe një klauzolë largimi më të përballueshme, duke lënë të hapur mundësinë që Barcelona të rikthehet për të në të ardhmen.
Ndërkohë, Barcelona vazhdon të përqendrohet te transferimi i Julian Alvarezit, pasi edhe një tjetër objektiv i saj për sulmin, Dusan Vlahovic, raportohet se është pranë arritjes së marrëveshjes me një klub tjetër.