​Argjentina rrezikon gjobë nga FIFA pas mesazhit politik në festën e fitores ndaj Anglisë
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Argjentina rrezikon gjobë nga FIFA pas mesazhit politik në festën e fitores ndaj Anglisë
argjentina-banner
16/07/2026 - 08:00
Linku u kopjua

Argjentina mund të përballet me masa disiplinore nga FIFA pas festimeve të fitores 2-1 ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, ku disa futbollistë të saj shfaqën një pankartë me mesazh politik lidhur me Ishujt Falkland (Malvinas).

Disa lojtarë argjentinas, përfshirë Lisandro Martinez, Nicolas Otamendi dhe Giovani Lo Celso, u panë duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin “Malvinas janë të Argjentinës”, duke iu referuar mosmarrëveshjes së kahershme territoriale ndërmjet Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Rasti pritet të shqyrtohet nga FIFA, e cila në rregulloret e saj ndalon shfaqjen e mesazheve dhe simboleve politike gjatë ndeshjeve dhe aktiviteteve zyrtare të turneut. Deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar lidhur me ndonjë sanksion.

Sipas raportimeve, organi qeverisës i futbollit botëror mund të hapë procedurë disiplinore ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit, ndërsa vendimi përfundimtar mund të merret vetëm pas përfundimit të turneut.

Ky nuk është rasti i parë i një incidenti të tillë. Në vitin 2014, FIFA e kishte gjobitur Federatën Argjentinase me 30 mijë franga zvicerane pasi futbollistët e kombëtares kishin pozuar me një pankartë të ngjashme para një ndeshjeje miqësore ndaj Sllovenisë.

Nëse FIFA vendos të ndërmarrë masa, një gjobë financiare konsiderohet skenari më i mundshëm, ndërsa nuk pritet që çështja të ndikojë në pjesëmarrjen e Argjentinës në finalen e turneut.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026