​Arbeloa emërohet trajner i Fulhamit
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Arbeloa emërohet trajner i Fulhamit
arbeloa
08/07/2026 - 12:01
Linku u kopjua

Ish-trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është emëruar trajner i ri i klubit anglez Fulham.

43-vjeçari, pjesë e kombëtares së Spanjës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010, ka nënshkruar kontratë trevjeçare me skuadrën londineze.

“Klubi ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Alvaro Arbeloas si trajneri i ri i Fulhamit”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Arbeloa pati një karrierë të suksesshme si futbollist, duke fituar dy herë Ligën e Kampionëve me Real Madridin. Megjithatë, aventura e tij si trajner i ekipit të parë të madrilenëve nuk ishte po aq e suksesshme. Ai mori drejtimin e skuadrës në janar të këtij viti, duke zëvendësuar Xabi Alonson, por nuk arriti të fitojë trofe.

Gjatë periudhës së tij në krye të Real Madridit, skuadra u eliminua në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Mbretit nga Albacete, që garon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Gjithashtu, disa humbje në La Liga i shuan shpresat për titull, ndërsa madrilenët u eliminuan edhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Bayern Munich, duke e mbyllur sezonin e dytë radhazi pa trofe.

Arbeloa rikthehet në futbollin anglez, ku më parë kishte luajtur me Liverpoolin. Ai zëvendëson Marco Silvën, i cili u largua nga Fulhami pas përfundimit të sezonit të kaluar, pasi e drejtoi ekipin deri në vendin e 11-të në Premier Ligë. Silva tashmë është emëruar trajner i gjigantit portugez Benfica.

Pas emërimit, Arbeloa shprehu entuziazmin për sfidën e re në karrierën e tij.

“Është një nder i madh për mua të nis këtë etapë të re te Fulham FC, klubi më i vjetër në Londër. Ndiej një përgjegjësi të madhe”, deklaroi Arbeloa.

Fulhami synon që nën drejtimin e trajnerit spanjoll të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri në Premier Ligë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026