Intervista
Intervista
Të gjitha nga Intervista
Haziri kritik ndaj disa deputetëve të zgjedhur të LDK-së: Nuk sollën asnjë votë përtej partisë
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës s’ka përçarje, thotë nënkryetari, Lutfi Haziri. Sipas tij, pakënaqësitë e fundit të shprehura nga anëtarë të Kryesisë janë më shumë për zhurmë politike. Megjithatë, të njëjtat ai nuk i konsideron si qesharake por që duhet diskutuar në organet e brendshme të partisë. Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se kërkesa e ish kryeministrit Avdullah Hoti për lidership të ri në LDK ka qenë e paqartë dhe që nuk është ditur se çka nënkupton. Përkundër kësaj, Haziri është kritik edhe për zyrtarë partiak që kanë siguruar mandatin e deputetit, por që sipas tij s’kanë sjellë asnjë votë përtej LDK-së. Mirëpo, ai për KosovaPress nuk pranoi të flasë me emra se kush janë të njëjtit. Haziri përmend emrin e Visar Azemit, kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj dhe i cili si figurë e re ka rritur votën e LDK-së përtej bazës elektorale. Mirëpo, të kundërtën e thotë për disa zyrtarë partiakë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe sipas tij mburren se kanë marrë shumë vota. Por, Haziri deklaron se të njëjtit nuk janë sjellë asnjë votë përtej bazës elektorale të LDK-së. “Për mua shumë më e rëndësishëm dhe vlerësuar janë disa emra që në LDK kanë hyrë në listë dhe s’kanë fituar ulësen e deputetit, por ka pasur guxim dhe ka ofruar emrin e tij dhe ka kontribuar. Ai është kontribut-dhënës dhe ka krijuar mundësinë që LDK-ja të fitojë 20 ulëse sesa ata që në LDK kanë fituar ulëse me shumë numra që kanë ditur ta menaxhojnë votën e brendshme të LDK-së. Ai ose ajo ka qenë më i zoti të menaxhojë votën e brendshme të LDK-së, por asnjë votë përtej LDK-së nuk e ka prurë. Zero votë ka prurë...Ka siguruar ulëse në LDK dhe asnjë votë jashtë LDK-së nuk e ka prurë. E kam për të reja dhe të vjetra. Të rejat kanë prurë vota përtej LDK-së. Çka ka prurë Visar Azemi në LDK? Ka prurë votë përtej LDK-së. Ka ardhur për herë të parë ka dalë në krye të strukturës së LDK-së në Ferizaj dhe ai është kontribut-dhënës më i madh në LDK sesa disa që kanë marrë ulëse në mënyrën dhe formën që ka ditur të menaxhojë, ka pasur kontakte dhe lidhje dhe ka menaxhuar votën e LDK-së. Madje, thotë kam marrë vota shumë. Çfarë vote, shumë? Hajde, i pjesëtojmë me dhjetë dhe shihe sa dalin. Ajo votë e brendshme të LDK-së dhe i atribuohet liderit të LDK-së”, shton ai. Duke komentuar rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit, ku LDK-ja u rendit si partia e tretë, ai thotë se s’ka pritjet politike kanë qenë më të larta, megjithatë do të respektojnë të njëjtin. Në anën tjetër, sa i përket akuzave të LVV-së se LDK-ja ka manipuluar votat me postë nga diaspora, Haziri thotë se një gjë të tillë e kanë rrëzuar PZAP-i dhe Gjykata Supreme. Mirëpo, Haziri thotë se ajo çka ka ndodhur në votat me postë nuk është e mirë dhe se organet e drejtësisë duhet ta zbardhin në tërësi këtë proces. Kujtojmë, LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit doli parti  e tretë dhe Lumir Abdixhiku tha se nuk do të jep dorëheqje. Pas zgjedhjeve, ish-kryeministri Avdullah Hoti kërkoi lidership të ri duke shprehur haptas se është i pakënaqur me rezultatin zgjedhor, raporton KosovaPress. “LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja,” kishte shkruar Hoti në Facebook. Ai ka theksuar se personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi. “Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve, të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë,” ka theksuar anëtari i Kryesisë së LDK-së. Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e Hotit për ndërrimin e lidershipit të partisë duke thënë se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Abdixhikut si kryetar i partisë. intervista e plotë në sistemin me parapagim.
Turizëm
Turizëm
Të gjitha nga Turizëm
Media italiane “Viaggiare Travel”: Shqipëria ndër gjashtë destinacionet më të mira për pushime
Nëse nuk doni të shpenzoni shumë për pushimet tuaja, ne ju rekomandojmë gjashtë destinacionet më të përshtatshme për pushime në vitin 2025, shkruan Alessandro Molteni në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimit “Viaggiare Travel”. Nëse jeni duke kërkuar për pushime që ju lejojne të zbuloni destinacione të mrekullueshme pa shpenzuar shumë, ky vit ofron mundësi të shumta për turistët që duan një ndërthurje të relaksit dhe kostove te përballueshme, shkruan ATSh. Nëse jeni duke kërkuar pushime që ju lejojnë të zbuloni destinacione të mahnitshme pa shpenzuar shumë, 2025 ofron opsione të shumta për turistët që duan një kombinim të relaksit dhe kostove të përballueshme, përcjell KosovaPress. Në këtë artikull, do të zbuloni destinacionet më të lira të vitit, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë, Turqinë, Malin e Zi, Marokun dhe Egjiptin. Secili prej këtyre destinacioneve ofron eksperienca unike, peizazhe të jashtëzakonshme dhe pushime që mund të përmbushin dëshirat e çdo lloji vizitori! Shqipëria Shqipëria po fiton me shpejtësi popullaritet mes turistëve që kërkojnë destinacione buxhetore për pushime verore. Vendi ofron peizazhe mahnitëse natyrore, plazhe të pacenuara, kuzhinë të shijshme dhe një traditë të pasur kulturore. Saranda, e vendosur në bregdetin e Jonit, është një nga destinacionet më të bukura dhe më të aksesueshme në Shqipëri, me ujërat e saj të kristalta, plazhet me rërë dhe restorantet me çmime të përballueshme, duke e bërë atë ideale për vizitorët që kërkojnë pushime me kosto të ulët. Një tjetër destinacion i padiskutueshëm është Vlora, një qytet port i pasur me histori dhe me një bregdet magjepsës, perfekt për një pushim që ndërthur detin, kulturën dhe kuzhinën tipike me çmime  konkurruese.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025