Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance bëri sot një sërë deklaratash duke theksuar rëndësinë e Grenlandës për interesat e sigurisë amerikane, duke kritikuar gjithashtu Danimarkën për neglizhencën e rajonit.
Në konferencën e sotme për shtyp në bazën hapësinore Pittufik në Grenlandë, JD Vance tha gjithashtu se Grenlanda do të kishte një të ardhme më të ndritur nën kujdesin amerikan, transmeton KosovaPress.
JD Vance theksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë që në fillim.
Ai tha se në rast të një sulmi raketor ndaj Shteteve të Bashkuara, forcat ushtarake nga Grenlanda do të ishin të parat që do të paralajmëronin forcat amerikane dhe do të ndihmonin në mbrojtje.
“Ne duhet të udhëheqim në Arktik, sepse nëse nuk udhëheqim, fuqitë e tjera do të mbushin boshllëkun”, tha Vance, duke iu referuar kryesisht Rusisë dhe Kinës, të cilat, sipas tij, po tregojnë gjithnjë e më shumë interes për Grenlandën dhe rrugët ujore të Arktikut.JD Vance nuk e kurseu Danimarkën, e cila zyrtarisht qeveris Grenlandën. Ai tha se Kopenhaga zyrtare kishte dështuar seriozisht për të investuar në sigurinë dhe infrastrukturën e Grenlandës, duke i lënë hapësirë fuqive të tjera që të pozicionohen.
“Danimarka nuk ka vazhduar me investimet ushtarake, e lëre më burimet e nevojshme për sigurinë e Grenlandës. Aleatët tanë evropianë shumë shpesh nuk mbajnë ritmin. Ne jemi këtu për të mbrojtur njerëzit që jetojnë këtu sepse siguria e tyre është siguria jonë. Mesazhi ynë për Danimarkën është shumë i thjeshtë - ju nuk keni bërë mjaftueshëm për popullin e Grenlandës".
JD Vance theksoi qartë se SHBA nuk planifikon të aneksojë ushtarakisht Grenlandën, por beson se populli grenlandez do të zgjedhë pavarësinë nga Danimarka përmes një referendumi pas të cilit SHBA planifikon të ndërtojë një partneritet me Grenlandën.
"Ne besojmë në të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje. Dhe ne besojmë se ata do të vendosin me mençuri, se do të zgjedhin Shtetet e Bashkuara, sepse vetëm ne e respektojmë sovranitetin e tyre dhe duam t'i ndihmojmë," tha ai.
Ai shtoi se një partneritet me Amerikën do të nënkuptonte siguri më të madhe dhe përparim ekonomik, ndërsa bashkëpunimi me "forcat armiqësore" do t'i shtynte ata në "kurthe borxhi që do të rrezikonin të ardhmen e tyre".JD Vance ka paralajmëruar vazhdimisht për interesin në rritje ekonomik dhe gjeopolitik të Kinës dhe Rusisë në Grenlandë.
Ai përmendi presionet specifike ekonomike nga Pekini, duke thënë se ishulli është "jashtëzakonisht i prekshëm" sot dhe se "ne nuk mund të fusim kokën në borë dhe të pretendojmë se Kina nuk e sheh vlerën strategjike të këtij ishulli".
“Ne duhet të zgjohemi pas 40 vjetësh të një konsensusi të dështuar që thoshte se mund të injoronim zgjerimin e shteteve të fuqishme”.
Megjithëse nuk njoftoi lëvizje specifike ushtarake, JD Vance njoftoi investime në infrastrukturën ushtarake, duke përfshirë akullthyes dhe një numër më të madh anijesh detare që do të patrullonin rregullisht zonën përreth Grenlandës. Kjo, pretendon ai, do të krijonte një mburojë realiste mbrojtëse kundër kërcënimeve të mundshme.
Edhe pse fokusi kryesor i konferencës ishte Grenlanda, JD Vance iu përgjigj gjithashtu një sërë pyetjesh mbi tema të tjera të politikës së jashtme dhe ekonomike.
I pyetur për tarifat e SHBA-së, veçanërisht në lidhje me Kanadanë, JD Vance i bëri jehonë retorikës së famshme të presidentit Trump.
"Nuk ka asnjë mënyrë që Kanadaja të fitojë një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara," tha ai duke shtuar se mesazhi i Trump është i qartë – “ne jemi të lodhur duke qenë bankomati i gjithë botës”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë financuar sigurinë ndërkombëtare për dekada, ndërsa aleatët evropianë nuk kanë investuar mjaftueshëm në mbrojtje. Ai kritikoi veçanërisht letargjinë 40 vjeçare të politikës së jashtme perëndimore, gjatë së cilës, thotë ai, u injorua zgjerimi agresiv i fuqive të tjera.
Kur u pyet për marrëdhëniet aktuale me Rusinë, JD Vance tha se SHBA "ndihet shumë mirë" për përparimin e negociatave, megjithëse disa kërkesa janë "të paqarta ose të përkthyera keq".“Ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm”, tha ai, pa hyrë në përmbajtjen specifike të bisedës.
Kujtojmë, baza hapësinore Pituffik në Grenlandën veriperëndimore është instalimi më verior i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së Baza u ndërtua pas një marrëveshjeje të mbrojtjes të vitit 1951 midis Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo mbështet paralajmërimin e raketave, mbrojtjen nga raketat dhe operacionet e mbikëqyrjes hapësinore për SHBA-në dhe NATO-n.
Baza Pituffik ndodhet rreth 1,200 kilometra në veri të Rrethit Arktik dhe 1,524 kilometra në jug të Polit të Veriut. Është rreth 1500 kilometra në veri të kryeqytetit të Grenlandës, Nuuk.
Ajo njihej si Baza Ajrore Thule deri në vitin 2023, kur u riemërua për të njohur trashëgiminë kulturore të Grenlandës dhe për të pasqyruar rolin e saj në Forcën Hapësinore relativisht të re të SHBA-së.
Baza është e mbyllur nga akulli për nëntë muaj të vitit, por fusha e saj ajrore mbetet e hapur gjatë gjithë vitit. Është në errësirë të vazhdueshme nga nëntori deri në shkurt dhe në dritë të vazhdueshme nga maji deri në gusht.Ajo operohet nga Grupi i Bazës Hapësinore 821 dhe është gjithashtu shtëpia e portit detar më verior të ujërave të thella në botë. Qyteti më i afërt është Qaanaaq, rreth 120 kilometra në veriperëndim.