Intervista
Të gjitha nga Intervista
Haziri kritik ndaj disa deputetëve të zgjedhur të LDK-së: Nuk sollën asnjë votë përtej partisë
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës s’ka përçarje, thotë nënkryetari, Lutfi Haziri. Sipas tij, pakënaqësitë e fundit të shprehura nga anëtarë të Kryesisë janë më shumë për zhurmë politike. Megjithatë, të njëjtat ai nuk i konsideron si qesharake por që duhet diskutuar në organet e brendshme të partisë.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se kërkesa e ish kryeministrit Avdullah Hoti për lidership të ri në LDK ka qenë e paqartë dhe që nuk është ditur se çka nënkupton.
Përkundër kësaj, Haziri është kritik edhe për zyrtarë partiak që kanë siguruar mandatin e deputetit, por që sipas tij s’kanë sjellë asnjë votë përtej LDK-së. Mirëpo, ai për KosovaPress nuk pranoi të flasë me emra se kush janë të njëjtit.
Haziri përmend emrin e Visar Azemit, kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj dhe i cili si figurë e re ka rritur votën e LDK-së përtej bazës elektorale.
Mirëpo, të kundërtën e thotë për disa zyrtarë partiakë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe sipas tij mburren se kanë marrë shumë vota. Por, Haziri deklaron se të njëjtit nuk janë sjellë asnjë votë përtej bazës elektorale të LDK-së.
“Për mua shumë më e rëndësishëm dhe vlerësuar janë disa emra që në LDK kanë hyrë në listë dhe s’kanë fituar ulësen e deputetit, por ka pasur guxim dhe ka ofruar emrin e tij dhe ka kontribuar. Ai është kontribut-dhënës dhe ka krijuar mundësinë që LDK-ja të fitojë 20 ulëse sesa ata që në LDK kanë fituar ulëse me shumë numra që kanë ditur ta menaxhojnë votën e brendshme të LDK-së. Ai ose ajo ka qenë më i zoti të menaxhojë votën e brendshme të LDK-së, por asnjë votë përtej LDK-së nuk e ka prurë. Zero votë ka prurë...Ka siguruar ulëse në LDK dhe asnjë votë jashtë LDK-së nuk e ka prurë. E kam për të reja dhe të vjetra. Të rejat kanë prurë vota përtej LDK-së. Çka ka prurë Visar Azemi në LDK? Ka prurë votë përtej LDK-së. Ka ardhur për herë të parë ka dalë në krye të strukturës së LDK-së në Ferizaj dhe ai është kontribut-dhënës më i madh në LDK sesa disa që kanë marrë ulëse në mënyrën dhe formën që ka ditur të menaxhojë, ka pasur kontakte dhe lidhje dhe ka menaxhuar votën e LDK-së. Madje, thotë kam marrë vota shumë. Çfarë vote, shumë? Hajde, i pjesëtojmë me dhjetë dhe shihe sa dalin. Ajo votë e brendshme të LDK-së dhe i atribuohet liderit të LDK-së”, shton ai.
Duke komentuar rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit, ku LDK-ja u rendit si partia e tretë, ai thotë se s’ka pritjet politike kanë qenë më të larta, megjithatë do të respektojnë të njëjtin.
Në anën tjetër, sa i përket akuzave të LVV-së se LDK-ja ka manipuluar votat me postë nga diaspora, Haziri thotë se një gjë të tillë e kanë rrëzuar PZAP-i dhe Gjykata Supreme.
Mirëpo, Haziri thotë se ajo çka ka ndodhur në votat me postë nuk është e mirë dhe se organet e drejtësisë duhet ta zbardhin në tërësi këtë proces.
Kujtojmë, LDK në zgjedhjet e 9 shkurtit doli parti e tretë dhe Lumir Abdixhiku tha se nuk do të jep dorëheqje. Pas zgjedhjeve, ish-kryeministri Avdullah Hoti kërkoi lidership të ri duke shprehur haptas se është i pakënaqur me rezultatin zgjedhor, raporton KosovaPress.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja,” kishte shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi.
“Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve, të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë,” ka theksuar anëtari i Kryesisë së LDK-së.
Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e Hotit për ndërrimin e lidershipit të partisë duke thënë se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Abdixhikut si kryetar i partisë.
intervista e plotë në sistemin me parapagim.