Zyrtare, UEFA e ndryshon rregullin e Fair Play Financiar
Lexohet për: 2 min.
UEFA
2 vite më parë
Linku u kopjua

UEFA ka miratuar të enjten rregulloret e reja të licencimit për të zëvendësuar rregullat ekzistuese të Fair Play Financiar (FFP), duke lejuar klubet evropiane të bëjnë humbje më të mëdha se më parë, por duke kufizuar shpenzimet për paga dhe transferime.

Siç pritej, organi qeverisës i futbollit evropian vendosi të rishikojë rregullat e FFP-së që u prezantuan në vitin 2010 në mënyrë që të reduktojë borxhet midis klubeve në të gjithë kontinentin.

Kufizimet e FFP ishin ekspozuar nga shfaqja e superfuqive shtetërore si Manchester City dhe Paris Saint-Germain, transmeton KosovaPress.

"Risia më e madhe do të jetë futja e një rregulli të kostos së skuadrës për të sjellë kontroll më të mirë të kostos në lidhje me pagat e lojtarëve dhe kostot e transferimeve," njoftoi presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin në një konferencë shtypi në Nyon pas një takimi të komitetit ekzekutiv.

UEFA tani do t'i lejojë klubet të raportojnë humbje prej 60 milionë eurosh gjatë tre viteve në vend të 30 milionë eurove sa ishte më parë, dhe shifra e lejuar madje do të arrijë në 90 milionë euro për një klub i cili është në gjendje të mirë financiare.

Megjithatë, ky lehtësim i rregullave është i kombinuar me tavanet e reja për shpenzimet për paga.

Sipas rregulloreve të reja të UEFA-s, klubet do të detyrohen të kufizojnë shpenzimet për pagat e lojtarëve dhe stafit, transferimet dhe tarifat e agjentëve në 70 për qind të të ardhurave totale deri në sezonin 2025/26.

Tavani do të bjerë me skadimin e kontratave aktuale: 90 për qind e të ardhurave të klubit në sezonin 2023/24, e ndjekur nga 80 për qind sezonin vijues dhe më pas në 70 për qind.

“Shkeljet do të rezultojnë me dënime të paracaktuara financiare dhe masa sportive”, tha Ceferin.

Klubet që thyejnë rregullat mund të goditen me ndalime transferimesh, kufizime huazimi, përjashtim nga një kompeticion evropian në tjetrin dhe zbritje pikësh në Ligën e Kampionëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025