Zyrtare: Lazio e konfirmon pasuesin e Sarrit
Lazio e ka konfirmuar se Maurizio Sarri ka dhënë dorëheqje dhe se ndihmësi i tij, Giovanni Martusciello do të mbetet në krye si pasuesi i tij.
Sarri dha dorëheqje si trajner i Lazios të martën, pasi pësoi tre humbje radhazi, raporton KosovaPress.
Ai nuk ishte më në marrëdhënie të mira me presidentin Claudio Lotito dhe një pjesë të lojtarëve, kështu që vendosi të largohej pavarësisht se kishte një vit të mbetur në kontratën e tij.
Lazio e konfirmoi dorëheqjen e Sarrit sot, duke njoftuar se ndihmësi i tij Martusciello do të mbetet si trajner i përkohshëm.
Lazio nuk ka sqaruar nëse ish-taktikani i Empolit do të qëndrojë në krye deri në fund të sezonit.
Disa trajnerë, nga Igor Tudor e deri te Raffaele Palladino dhe ish-sulmuesi i Lazios, Miroslav Klose, janë lidhur me këtë punë.
Klose dhe Tudor aktualisht janë pa klub, ndërsa Palladino është nën kontratë me skuadrën e Serie A, Monzan.
Lazio e falënderoi Sarrin për qëllimet e arritura dhe për punën e bërë dhe i uroi atij më të mirën në fushë dhe jashtë saj.
Ish-trajneri i Napolit, Juventusit dhe Chelseat u emërua në vitin 2021 si trajner i Lazios dhe fitoi 65 nga 137 ndeshje në “Stadio Olimpico”.