Zyra e BE-së në Kosovë shpall “Evropianin e vitit”
Lajme
Lexohet për: 6 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për vitin e nëntë radhazi ka ndarë çmimin “Evropiani i vitit” një personi që përgjatë 12 muajve të fundit ka kontribuuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.

Ky çmim ndahet çdo vit nga ambasada e BE-së për nder të Ditës së Evropës më 9 maj dhe kësaj radhe iu nda Bekim Blakaj, përfaqësues më shumë se dy dekada nga Qendra për të drejta humanitare.

Në ceremoninë e rastit, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE, ambasadori Tomas Szunyog, ka folur mbi rëndësinë e Ditës së Evropës për familjen e madhe evropiane. 

“BE paraqet 27 vende në Evropë dhe Evropës iu bashkuan që t’i bëjnë gjërat më të mira, më të lehta dhe më të sigurta. Ata të gjithë u pajtuan që të punojnë së bashku, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sigurohemi që të ketë paqe në Evropë dhe që njerëzit të kenë një jetë të mirë dhe cilësore. Unë shpresoj se të gjithë do të pajtoheni me mua se kjo do të mbetet thelbi i mbështetjes evropian dhe se gjithashtu dëshirojmë ta ndajmë atë edhe me Kosovën. Kjo është edhe arsyeja pse BE-ja ka një prani kaq të madhe dhe të rëndësishme këtu”, ka thënë Szunyog.

Ai ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, ku qytetarët e saj nga janari i këtij viti mund të lëvizin pa pengesa drejt vendeve të zonës Schengen.  Ai tha se heqja e regjimit të vizave afron Kosovën me vendet e BE-së dhe njëherësh inkurajon bashkëpunim më të zgjeruar.

Ambasadori i BE-së ka folur edhe për rolin e ndihmës së BE-së për Kosovën në aspekte të fushave të ndryshme, përfshirë energjetikën, teksa ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës mbi zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit duke thënë se ky paraqet një hap pozitiv për të parë implementimin e sigurisë juridike.

“Këtu në Kosovë kemi qenë dëshmitarë të një përshkallëzimi serioz të rëndë të situatës në veri të Kosovë, në maj të vitit të kaluar me shpërthimin e dhunës që rezultoi me disa persona të lënduar duke përfshirë pjesëtarë të trupave të KFOR-it dhe vetëm disa muaj më vonë, në shtator të vitit të kaluar të gjithë u tronditëm nga sulmi mbi policinë e Kosovën me një shkallë të paparë dhe nga sasia e armëve që u zbuluan. Humbja tragjike e jetës së rreshterit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku na mbetet një kujtesë se si ne duhet të ndryshojmë urgjentisht... Kjo është arsyeja pse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ecur përpara përveçse dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë ai.

Për më tepër, ambasadori i BE-së ka thënë se ardhmja e Kosovës është në BE.

Në ndarjen e çmimit “Evropiani i vitit” një fjalë rasti mbajti edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka folur mbi rëndësinë e Ditës së Evropës, e cila këtë vit e gjen Kosovën një hap më pranë familjes së madhe evropiane.

“Ky vit është i veçantë, 9 Maji, për faktin sepse për herë të parë e gjen Kosovën më afër Evropës me disa suksese që ia vlen për të festuar. Zbatimi i vendimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Zonën Shengen që u nis në fillim të këtij viti pas një procesi të stërzgjatur padrejtësisht...Tash me të vërtetë ndihemi si qytetarë të Evropës”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka folur edhe mbi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës vendimi final pritet të merret në këtë muaj nga Këshilli Ministror, teksa ka kujtuar se nuk duhet të ketë kushtëzime për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ai po ashtu ka përmendur rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në BE, gjë e cila sipas tij, do të forcojë edhe familjen e madhe evropiane, teka ka përmendur progresin e arritur deri më tash ndonëse e pranoi se rruga deri te hyrja në familjen e madhe evropian nuk është e lehtë.

Votimi për “Evropianin e vitit” është bërë përmes rrjeteve sociale të Bashkimit Evropian në Kosovë në Facebook e Instagram.

Në mesin e katër të nominuarve, fitues u shpall Bekim Blakaj, përfaqësues më shumë se dy dekada nga Qendra për të drejta humanitare. Blakaj në fjalën e tij para të pranishmëve ka shprehur falënderime për ndarjen e këtij çmimi për të cilin tha se ndihet shumë i nderuar.

“Me të vërtetë jam i nderuar për një çmim të tillë. Është një çmim që nënkupton thellësisht për punën që Qendra për të drejtat humanitare që është krijuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë...Ky çmim nuk është vetëm një njohje për përpjekjet e mia, por gjithashtu për rimëkëmbjen dhe punën e shumë individëve të panumërt atje që na kanë ndihmuar në këtë rrugëtim ”, ka thënë ai.

Ndryshe, fituesit e mëparshëm të Çmimit Evropiani i Vitit janë: 2023 - Ledion Halitaj, kitaristi i talentuar 11-vjeçar, 2022 - Fahrije Hoti, themeluese e Kooperativës Bujqësore Krusha, 2021 - Armend Shabani, kryetar i Shoqatës së Matematikanëve, 2020 - Lul Raka, profesor i Mikrobiologjisë në Universitetin e Prishtinës, 2019 - Visar Ramajli, drejtor i kompanisë KIVO, 2018 - Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimedia, 2017 - Erzen Shkololli, kurator dhe artist, dhe 2016 - Majlinda Kelmendi, kampione olimpike në xhudo.

Nesër shënohet 9 Maji - Dita e Evropës, me aktivitete të ndryshme në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë si dhe me aktivitete në Mitrovicë të Veriut. Deklarata e 9 majit 1952 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE. Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës. Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme. /KosovaPress

A duhet të ketë zgjedhje të parakohshme?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
674
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024