Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi konsumatorët e energjisë elektrike lidhur me shqetësimet e raportuara për devijimin e mundshëm të orëve tarifore në faturimin e energjisë elektrike se është duke e monitoruar situatën me kujdes të shtuar dhe në vazhdimësi, duke grumbulluar informata, me qëllim të sigurimit të një matjeje të drejtë dhe të saktë të konsumit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët dhe që reflekton një faturim të drejtë.
“ZRRE apelon te të gjithë konsumatorët që në rast se hasin në probleme të tilla që fillimisht t’i drejtohen Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), për verifikim dhe inspektim të njehsorit elektrik.
Theksojmë se KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Të hyrat e tyre përcaktohen nga ZRRE, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike. Gabimet e tilla, nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre.
Gjithashtu, informojmë se në bazë të legjislacionit në fuqi, përgjegjës për shqyrtimin dhe kalibrimin e njehsorëve elektrik është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, institucion kompetent për garantimin e saktësisë së pajisjeve matëse.