Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë”, i cili është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025. Auditimi ka në fushëveprim Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ministrinë e Ekonomisë (ME) si dhe synon të vlerësojë efikasitetin e menaxhimit, monitorimit dhe zbatimit të masave për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas ZKA-së Kosova si nënshkruese e Traktatit për Komunitetin e Energjisë ka vendosur objektiva për rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe ka krijuar skema mbështetëse për investime në këtë fushë.
Sipas ZKA-së ky auditim ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të resurseve energjetike dhe përmbushjen e objektivave strategjike të vendit në këtë fushë.
Në fund thuhet se Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.