Zgjedhjet lokale të Turqisë të dielën shënuan një humbje të madhe për presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), pasi partia kryesore e opozitës shpalli fitoren në qytetet kryesore, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë.
Turqia mbajti zgjedhjet mbarëkombëtare të dielën për kryetarët e bashkive të qyteteve, kryebashkiakët e rretheve dhe zyrtarë të tjerë lokalë që do të shërbejnë për pesë vitet e ardhshme. Pengesa për partinë në pushtet erdhi pasi Erdogan u rizgjodh si president në zgjedhjet e majit, duke mundur liderin e opozitës Kemal Kilicdaroglu në një balotazh të ngushtë. Pas fitores së tij presidenciale, Erdogani kishte synimin për rimarrjen e qyteteve të humbura nga opozita në vitin 2019.
Me 99.8% të votave të numëruara, rezultatet jozyrtare treguan se rivali kryesor politik i Erdoganit Ekrem Imamoglu i CHP u rizgjodh si kryetar i Stambollit me 51.1% të votave, sipas transmetuesit shtetëror TRT. Në rang vendi, CHP fitoi më shumë vota, me 37.7%.
Në kryeqytet, Ankara, kandidati i CHP dhe kryebashkiaku aktual Mansur Yavas siguroi 60.4% të votave. Në Izmir, Cemil Tugay i CHP-së fitoi me 48.9% të votave.
Për Erdoganin, Stambolli është një kurorë strategjike dhe personale, të cilën ai ishte i vendosur ta rimarrë në zgjedhjet e së dielës. Qyteti u drejtua për 25 vjet nga parti me prirje fetare – fillimisht nga Partia e Mirëqenies, anëtare e së cilës ishte Erdogan, dhe më pas nga Partia AK – derisa CHP laike fitoi kryesinë e saj në vitin 2019 nën Imamoglu.
Partia AK humbi 10 rrethina të Stambollit ndaj rivalëve në zgjedhjet e fundit. Beyoglu, rrethina e Stambollit ku lindi Erdogan, humbi nga CHP.
Udhëheqësi 70-vjeçar pranoi humbjen në emër të partisë së tij, duke thënë se ka në plan të respektojë vullnetin e popullit turk.
“Fatkeqësisht, nuk mundëm të merrnim rezultatin që dëshironim dhe shpresonim në testin e zgjedhjeve lokale”, tha Erdogan në një fjalim të mbajtur të hënën në selinë e AK Partisë në Ankara. Pavarësisht nga rezultatet, shtoi ai, “fituesi i këtyre zgjedhjeve është kryesisht demokracia jonë, vullneti kombëtar dhe të gjithë 85 milionë njerëzit, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike”. /CNN/