Zgjedhjet e reja parlamentare janë të domosdoshme, thotë për KosovaPress, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo vlerëson që, paraprakisht, duhet të arrihet një marrëveshje politike në Kuvend për formimin e një qeverie të përkohshme me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet projektbuxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.
Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e pranon që nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë së re, edhe në rast se rifillojnë negociatat me Nismën Socialdemokrate.
Kusari-Lila, në një intervistë për KosovaPress, është më e rezervuar për të komentuar njoftimin e Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, derisa thotë se duhet të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë.
Ajo thotë se në situatën aktuale politike s’ka zgjidhje tjetër më të favorshme përveç mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në nivel nacional. Sipas saj, kjo formë do të ofronte një qartësi më të madhe në mundësinë e koalicioneve të reja.
Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.
Sipas Kusari-Lilës, Kushtetuta nuk e cek që vetëm një subjekt, ose subjekti më i madh nga komuniteti serb, e ka të drejtën e nominimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit. Andaj, ajo shpreson se në aktgjykimin e plotë do të konstatohet se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, por pa specifikuar grupimin politik dhe të drejtën ekskluzive të tyre për të propozuar.
Megjithatë, deputetja nga Grupi Parlamentar i LVV-së, thotë se nuk do ta votojë për nënkryetar të Kuvendit asnjë prej deputetëve të Listës Serbe.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të Qeverisë. Kurti është zgjedhur me votë unanime në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të mbajtur në fillim të muajit shtator.
Megjithatë, Kusari-Lila është skeptike nëse do të mund të formohet qeveria e re “Kurti III”. Lëvizja Vetëvendosje ka pasur negociata të vazhdueshme me Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, për formimin e qeverisë, por pa arritur pajtueshmëri.
Andaj ajo e sheh të nevojshme që, para se të ketë dakordim për zgjedhje të reja, të formohet një qeveri e përkohshme përmes një marrëveshjeje politike me agjendë vetëm legjislative, në mënyrë që të miratohet buxheti për vitin 2026, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që ndërlidhen me fondet e BE-së për Kosovën, në kuadër të Planit të Rritjes.
Deputetja Kusari-Lila thotë se kjo nuk ka të bëjë me idenë e LDK-së për qeveri të tranzicionit, por të mbështetet vetëm një grup parlamentar për formimin e qeverisë së përkohshme për kryerjen e këtyre obligimeve.
Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm me LVV-në, Kusari-Lila thotë se do të kërkojnë koalicion zyrtar, ndërsa është më e rezervuar kur pyetet nëse do të jetë shefja e ardhshme e Grupit Parlamentar të LVV-së.
“Në aspektin e subjektivitetit të Alternativës, kërkojmë njëfarë forme që zyrtarisht të jemi në koalicion për shumë arsye të mbarëvajtjes edhe të jetës sonë politike, edhe të identitetit tonë politik...Unë mendoj që e kam kryer me përkushtim maksimal një detyrë jo të lehtë dhe jam e lumtur që kemi arritur me sukses ta përmbyllim një cikël...Mendoj që tashmë me formimin e legjislaturës së re, natyrisht edhe objektivat tona të saktësohen...Kemi pasur opinione të tjera, të them për çështjen e orientimit të zhvillimit ekonomik ose të zhvillimit të projekteve të mëdha, në kuptimin e si kemi parë ne orientimin tonë si ekonomi e qendrës ose si orientim liberal... 24:02 Ata [LVV] janë partia të cilës qytetarët e republikës u kanë dhënë mandatin për t’i sjellë këto vendime dhe ato vendime merren proporcionalisht mbi bazën e forcës politike. Por, e kërkoj që në të ardhmen e afërt, atë që e kam deklaruar publikisht, që të paktën të jemi zyrtarisht. Unë nuk pretendoj ta marr gjysmën e listave ose të kemi kërkesa të mëdha, as nuk kemi pasur asnjëherë deri më tash kushtëzimin e këtyre posteve”, përfundon ajo.