Në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka njohur pensionin e dyfishtë tre të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky vendim është vetëm i shkallës së parë, ndërkohë ato vazhdojnë betejën për të drejtat e tyre. Ndërkaq, dhjetë raste të tjera janë duke u përgatitur për të kërkuar të drejtat e tyre përmes gjykatës.
Rrëfimi i Shpresës
E lodhur nga mosha, por edhe nga vuajtjet e përjetimet e trishta të luftës, 72-vjeçarja së fundmi po përballet edhe me një betejë të gjatë ligjore.
Më pas, shteti e detyroi të zgjedhte mes këtij pensioni - 230 euro, dhe atij kontribut-pagues prej 200 euro.
Ligji për të drejtat e kategorive të dala nga lufta në Kosovë, thotë se përfitues të benificioneve që vinë me këtë ligj, mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë. Ky i fundit rregullohet me Ligjin për skemat pensionale.
“Atë ditë që dola në pension më takojnë dyjat, më njihet edhe ky pensioni i viktimës, tani pensioni jem. Edhe i mora një muaj të dy pensionet. Mirëpo, çka ndodhi? Muajin tjetër më ndalin dy pensionet. Do të thotë unë më asnjë cent nuk e kisha edhe shkoj lajmërohem, nuk ka. Shkoj në ministri të pensioneve më thonë ‘jo, dy pensionet nuk mundesh’. Ju them mirë, nuk mundem, por pse nuk më keni lajmëruar e me më lënë pa asnjë cent, unë kam barna, kam gjëra. Edhe mbes pa asnjë cent”, rrëfen ajo.
“Tani më kanë thënë ‘zgjedh’. Por ata është dashur të më thonë me fillim e jo pasi më lanë pa asnjë cent. Dy në të vërtetë, se derisa më dolën u bënë dy muaj. Edhe e marrë pensionin tim kontribut-pagues. Mirëpo, ky pensioni im ishte 196 euro, e ky i viktimës ishte 230 euro. Tani, prej inatit them, ‘pse more nuk shkoj me marrë këtë të viktimës, pasi më thanë zgjedh’”, thekson ajo gjatë rrëfimit.
Me sy të përlotur e zë pothuajse të përhumbur, kujton dëshpërimin që përjetoi para shtatë vjetësh.
Tri vjet është dashur që rastit të Shpresës dhe dy të tjerave t’u jepet e drejtë nga Gjykata Themelore.
Betejën për të drejtat e tyre e kanë bërë me ndihmën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Rushiti tregon se janë edhe dhjetë raste të tjera të cilat janë duke u përgatitur për të kërkuar të drejtat e tyre përmes gjykatës.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm rreth 2.000 e kanë marrë atë.
Gjatë vitit të kaluar mbi 150 gra e burra kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.
Afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale është deri më 15 maj 2025.
Shpresa, e cila është e mbijetuar e dhunës seksuale, lutet që së shpejti të gëzojë pensionin e saj kontributpagues, që siç thotë ajo “t’i paguhet djersa”.
Ndërkohë, KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.