Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë po kërkojnë të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim. KosovaPress ka biseduar me disa prej të mbijetuarve që tregojnë sfidat e mëdha deri te sigurimi i shërbimeve të nevojshme mjekësore.
Në një dhomë me ndriçim të dobët, kthjellët i ka vetëm kujtimet e hidhura. Shenjat në trup, por edhe në mendje, kanë mbetur gjurmë të asaj çka përjetoi gjatë luftës.
Njëzet e pesë vjet më parë, ajo u dhunua seksualisht në praninë e djalit. Katër herë, nga katër kriminelë serbë.
“Për gjashtë orë, katër herë [jam dhunuar] nga katër persona. Në mënyrën më barbare, qysh kanë ditur ata, në mënyrën më barbare. Jam munduar të mbrohem me mish e me shpirt... mirëpo e pafuqishme. Djali po ashtu i pafuqishëm”, rrëfen gruaja rreth të 60-ave.
Përveç pasojave psikologjike, ajo sot përballet edhe me sëmundjen e kancerit të gjirit.
Kontrolle mjekësore, terapi, operime... Mbi të gjitha, frikë se historia e saj do të zbulohet.
Afërdita e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale që i mundëson një pension prej 230 eurosh.
Në betejën e radhës për të luftuar sëmundjen, ajo vështirë i përballon shpenzimet për kujdes shëndetësor.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20.000.
Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në Kosovë, që prej vitit 2014 ekziston një ligj për njohjen e statusit të tyre por deri tani vetëm rreth 2 mijë e kanë marrë atë.
Në mesin e tyre është edhe Drita e cila sot përballet me probleme shëndetësore.
“Unë kam pasur shumë probleme me shëndetin, më është dashur dy-tri herë në javë të shkoj [për vizita mjekësore]. Kam shumë shqetësime, kam pasur shumë dridhje, vjellje, kam pasur dhimbje të lukthit, kam miomë – mish i egër që i thonë. Edhe ata nuk kam mundur ta trajtoj për shkak të kushteve. Kam pasur nevojë shumë herë, jo një herë, por vetëm Zoti edhe shpirti jem e dinë... Llogarite me 230 euro sa mundesh me ja dalë, me hangër, se kur është fjala për te veshja – këtu është pak si ma minus”, rrëfen Drita.
Gruaja e cila flet me frikën se do të zbulohet, të ardhurat e vetme i ka nga pensioni që ka nisur ta marrë së fundmi.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dje ka dorëzuar kërkesë zyrtare që të mbijetuarit e dhunës seksuale të përfitojnë mbulimin e plotë të sigurimit shëndetësor pa asnjë kushtëzim.
Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
“Qysh edhe parashihet me projektligj që e kemi parë që duhet statusi i varfërisë të verifikohet, çka i vë në vështirësi të mbijetuarit e dhunës seksuale, për shkak të stigmës me të cilën ata ballafaqohen. Kështu që po shpresojmë dhe kemi indikacione që Kuvendi i Kosovës veç do të ketë një konsensus që ky grup i ndjeshëm shoqëror, grupi ma vulnerabël në shoqërinë kosovare të pasluftës të arrijnë të marrin shërbime shëndetësore falas, pa ju nënshtruar kurrfarë verifikimi të pasurisë, apo statusit ekonomik të tyre...Mbi 90 për qind të grave dhe burrave që vijojnë shërbime psiko-sociale në organizatë kanë edhe nevoja shëndetësore fizike dhe shumica nga ato për shkak të stigmatizimit dhe vështirësive ekonomike nuk arrijnë të marrin shërbime adekuate të mirëfillta”, thotë Rushiti.
Edhe Afërdita pret që deputetët e Kuvendit të Kosovës të marrin parasysh kërkesën e QKRMT-së dhe të mundësohet mbulim i plotë i shërbimeve shëndetësore, pa pasur nevojë të verifikohet statusi i varfërisë.
*Për të mbrojtur identitetin, Afërdita dhe Drita janë emra të vendosur nga redaksia.
https://kosovapress.com/kuvendi-miraton-ligjin-per-sigurimin-e-detyrueshem-te-kujdesit-shendetesor