Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë se kanë bërë listën e prioriteteve për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ai deklaron se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe do të shohin mundësitë për përafrim me NATO-në, fillimisht duke u anëtarësuar me të drejta të plota në kartën e Adriatikut A5. Mirëpo të gjitha këto thekson se do të bëhen në momentin e duhur dhe të volitshëm për vendin.
Ahmeti një intervistë për KosovaPress, thotë se kanë hartuar strategjinë për njohje të reja dhe janë në kontakt me një numër të konsiderueshëm të shteteve që nuk e njohin Kosovën. Ndërkohë, shton se po punojnë intensivisht për t’iu kundërvënë Serbisë në fushatën për tërheqje të njohjeve për Kosovën.
I dyti në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thotë se njohje të reja për Kosovën s’ka pasur gjatë këtij viti, por ka një qasje më sistematike të vendit.
Ai bën të ditur se kanë identifikuar së paku 30 shtete që Serbia ka bërë fushatë për ç’njohje të Kosovës, por thotë se kanë qenë në kontakt me numër të konsiderueshëm të këtyre shteteve që fushata e Serbisë mos të ketë sukses.
Për KosovaPress, Ahmeti flet edhe për procesin e emërimit të ambasadorëve të rinj. Ai thotë se vetëm 24 për qind të ambasadorëve të emëruar janë politik, ndërsa të tjerët të karrierës.
“Kemi 19 ambasadorë të karrierës dhe 6 politikë, pra edhe pse ligji na mundëson që të kemi 50 për qind politik, qeverisja jonë i ka vendosur vetëm 24 për qind ambasadorë politik. Besojmë se ambasadorët e karrierës duhet të kenë hapësirë të kontribuojnë pasi ambasadorët politikë dhe ne të emëruarit politik shkojmë pas katër vjetësh, ndërsa këta mbesin. Çka ka nevojë Kosova është të ndërtojë një traditë të memories institucionale dhe të shërbyesve civil dhe të karrierës të cilët ngritën me kohë...4:56 Si proces është në prag të përfundimit. Në ambasadat tona në vendet e mëdha dhe vendet partnere kemi vendosur ambasadorët tanë. Kemi gjet situatën ku në Mbretërinë e Bashkuar për tri vjet nuk kemi pas ambasador, po ashtu edhe në Japoni dhe tashmë këto janë mbuluar. Jemi në proces që të mbulohen edhe ambasadat e tjera, por procesi si i tillë bëhet në konfidencialitet edhe për shkak të vendit pritës”, shton ai.
“Kemi filluar reformat, do të fokusohesha te reforma strukturore. Ne po punojmë për ligjin e ri për shërbimin e jashtëm, ligj i cili prek edhe ligje të tjera të ndërvarura prandaj merr pak kohë. Pasi MPJD e ka një natyrë tjetër të punës, duke pasur ambasada, konsullata, struktura e brendshme nuk mund të jetë identike sikur ministritë të tjera...6:42 Po punojmë që sa më shpejt të bëjmë ligjin për shërbimin e jashtëm sepse aktualisht ministria jonë dhe shërbimi i jashtëm funksionojnë me ligje të themelimit të këtyre dy institucioneve. Kohët kanë ndryshuar, institucionet në vet veti janë zhvilluar dhe ligjet veçanërisht të politikës së jashtme duhet të jenë dinamike”, përfundon zëvendësministri Ahmeti.