Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky deklaroi se administrata e presidentit të sapo zgjedhur amerikan Donald Trump mund të ndihmojë në përfundimin e luftës kundër Rusinë më shpejt, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Ukrinform.
Ai në një intervistë për shërbimin publik Suspilne ka folur mbi raportet ndërmjet Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, duke iu referuar bisedimeve të mëparshme me Trump për zgjidhjen e konfliktit.
I pyetur nëse Trump kërkoi nga Ukraina të hyjë në negociata me Rusinë, Zelensky tha: "Jemi shtet i pavarur dhe gjatë kësaj lufte, unë personalisht dhe njerëzit tanë, po negociojmë me SHBA, edhe me Trump, edhe me Biden, si dhe liderët evropianë, dhe kemi dëshmuar se retorika ‘ulu dhe dëgjo’ nuk funksionon te ne”.
Presidenti i Ukrainës tha se ai besonte se nën udhëheqjen e Trump "lufta do të përfundojë më herët.”Ndryshe, Trump shpesh ka vënë në dyshim mbështetjen e SHBA-së për Kievin zyrtar, duke thënë se ai mund t'i jepte fund luftës “për një ditë pasi të zgjidhet president”.