Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se vendi i tij nuk do t’i lëshojë territoret Rusisë sipas një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi, duke argumentuar se Vladimir Putin “e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore”.
Në një intervistë me BBC-në , ai tha se e vetmja përgjigje ishte të ushtrohej presion i fortë ushtarak dhe ekonomik mbi Moskën.
“Nuk e shoh vetëm si tokë. E shoh si një braktisje, një dobësim të pozicioneve tona, një braktisje të qindra mijëra njerëzve që jetojnë atje. Dhe jam i sigurt se kjo ‘tërheqje’ do ta ndajë shoqërinë tonë”, tha ai.
Ai vlerësoi se edhe nëse një lëshim e kënaqte përkohësisht Putinin, Rusia do ta përdorte armëpushimin si një “pauzë” për të riorganizuar forcat.
Presidenti ukrainas argumentoi se fitorja nuk ka të bëjë vetëm me rivendosjen e normalitetit për ukrainasit, por edhe me parandalimin e një kërcënimi më të gjerë.
“Ndalimi i Putinit sot dhe parandalimi i tij nga pushtimi i Ukrainës është një fitore për të gjithë botën. Putini nuk do të ndalet në Ukrainë”, tha ai.
I pyetur nëse mund t’i besonte Trumpit, presidenti ukrainas tha se garancitë e sigurisë duhet të institucionalizohen nga Kongresi i SHBA-së për të zgjatur përtej një mandati presidencial.
“Presidentët ndryshojnë, por institucionet mbeten”, vuri në dukje ai.
Zelensky tha se teknikisht zgjedhjet mund të mbaheshin nëse legjislacioni përkatës do të ishte në fuqi, por ai theksoi vështirësitë praktike, duke pasur parasysh se miliona ukrainas janë jashtë vendit dhe pjesë të konsiderueshme të vendit janë nën pushtimin rus, transmeton Euronews Albania.
“Nëse ky është një kusht për t’i dhënë fund luftës, le ta bëjmë. Por ato duhet të bëhen në një mënyrë që njihet si legjitime, para së gjithash nga populli ukrainas”, tha ai.