Qeveria e Kosovës nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur investimeve kapitale, thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Derisa thekson nevojën për investime të tilla si dhe avancim të infrastrukturës, Zeka thotë se rritja ekonomike e vendit është më e ulët se në vitin 2019.
Ndër të tjera, Zeka thotë se përkrahja financiare që parashihet në kuadër të Planit të Rritjes, mund të kushtëzohet nga zbatimi i marrëveshjeve “duke përfshirë ato me Serbinë”.
Ditë më parë, Komisioni Evropian ka miratuar agjendat e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor – hap ky për të mundësuar pagesat e para nga Plani i Rritjes.Zeka flet edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të cilat i quan të përkeqësuara pas veprimeve, siç thotë ai të njëanshme, të ekzekutivit kosovar.
Por, raportet e përkeqësuara sipas tij nuk kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik meqë nuk ka ndonjë masë që e ndalon drejtpërdrejt përkrahjen financiare amerikane për Kosovën.
Autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe - në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb./E.Krasniqi.