Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo reagoi sot lidhur me projektin për portin ushtarak të NATO-s në Porto Romano. Në një deklaratë për mediat, Garo tha se “këto ditë Edi Rama ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se NATO ka treguar interes për të ndërtuar në Porto Romano një port ushtarak”.
“Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me NATO-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlanikut të Veriut në territorin e Shqipërisë. Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano”.
“Gjendja aktuale e forcave të armatosura të Shqipërisë ka probleme tejet serioze, të cila lidhen para së gjithash me pagat e ulëta të ushtarakëve, mos investimin në infrastrukturë dhe buxhetin tejet të ulët të kësaj qeverie për ushtrinë. Kjo në kundërshtim me standardet e NATO-s”, tha Garo./ATSH