Sot, në Negroc të Drenasit u zbulua pllaka përkujtimore e dëshmorit për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike, Isuf Islam Krasniqi.
Në akademinë përkujtimore për dëshmorin Krasniqi, u tha se në vitet e stuhishme të Luftës së Dytë Botërore mbrojtja e qenies shqiptare e trojeve etnike ishte misioni më i madh kombëtar i kohës.
Ai tha se Drenica ka dhënë bijtë dhe bijat më të devotshëm në shërbim të lirisë dhe çlirimit.
“Sot është njëra ndër ditët më të rëndësishme për të dëshmuar se lufta jonë për liri dhe pavarësinë e vendit ka vazhduar me dekada e shekuj. Dhe kjo trevë ka dhënë bijtë dhe bijat më të devotshëm në shërbim të lirisë dhe çlirimit. Negroci dhe fshatrat përreth jo vetëm në luftën e fundit, por gjatë gjithë historisë kanë qenë në ballë të lëvizjeve kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe kjo dëshmon edhe për heroizmin e dëshmorit të kombit Isuf Islam Krasniqi”, theksoi Hajdari.
“Ata që dhanë gjak për këtë tokë, ata që kontribuuan për këtë vend, herët e vonë do të ndritët një ditë. Prandaj, rasti i sotëm dhe i gjithë dëshmorëve të tjerë që e meritojnë ta kenë një pllakë përkujtimore duhet t’i përkujtojmë me nder... Megjithatë, sot pas 22 vjetësh po ballafaqohemi me padrejtësi të mëdha, sepse lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, dhe falë kësaj lufte kemi intervenimin e NATO-s. Edhe pse luftën e UÇK-së dhe ushtarët e saj i quajnë mercenarë, por luftën e UCK-së kurrë nuk do të arrijnë ta nënçmojnë dhe nëpërkëmbin”, tha ai.
Në emër të familjes Krasniqi, profesori Islam Krasniqi u shpreh se dëshmori Isuf Krasniqi dhe të gjithë të rënët tjerë në betejën e Kolashinit nuk janë me frymë, por që në kujtesën tonë historike mbeten të gjallë sa të ketë shqiptarë.
Ndërsa, profesori i historisë Ibrahim Gashi në këtë akademi foli për kontekstin e Luftës së Dytë Botërore dhe Kosovën.
Isuf Islam Krasniqi (28.11.1916-17.1.1944) është dëshmor i rënë në Kolashin më 1944, pjesëtar i njësiteve vullnetare, në betejën për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike./I. Shabani/