Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi thotë se nisma rajonale e quajtur “Open Ballkan” nuk do të jetë e plotë nëse në të nuk janë të kyçura të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për KosovaPress, Xhaferi flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi që mendon se duhet të përfundojë me njohje reciproke. Gjithashtu, ai shpreson që shumë shpejtë të gjendet zgjidhja e ngërçit me Bullgarinë dhe të zhbllokohet procesi i anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kryekuvendari Xhaferi, duke folur për nismën në të cilën bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia e që është ajo e Ballkanit të Hapur, thotë se nisma është në rregull në kontekstin ekonomik dhe social, porse pjesa politike është ajo që e definon statusin përfundimtar të çdo nisme.
“Nismat rajonale gjithsesi janë nisma fillestare të cilat duhet t’i hapin rrugë një bashkëpunimi më të ngushtë, por ai bashkëpunim duhet të jetë i plotë dhe supozoj e keni idenë rreth Ballkanit të Hapur si nismë nëse është pjesë e Procesit të Berlinit, për faktin se nga Procesi i Berlinit ka dalë ideja që në mikro-regjion të bëhet një bashkëpunim i propaguar, siç e propagojnë udhëheqësit e tre vendeve që aktualisht janë pjesë e asaj nisme, dhe ajo nuk do të jetë e plotë nëse nuk janë të gjithë të kyçur në atë nismë. Por, përsëri të ngarkuar nga raportet politike që i kanë vendet e caktuara po bëhet edhe përkufizimi i pajtueshmërisë apo mospajtueshmërisë për një nismë të tillë. Kështu që në kontekst ekonomik, kontekst social, gjithçka është në rregull por kontesti politik është ajo që e definon mandej edhe statusin përfundimtar të çdo nisme, qoftë kjo e fondit në mikro-rajon, qofshin nisma të tjera në të cilat ne bashkërisht marrim pjesë si gjashtë vende të rajonit”, thotë Xhaferi.
Ndërsa lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Xhaferi thotë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Veto bullgare vazhdon të mbajë peng procesin e integrimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilat janë në një pako.
Pavarësisht vlerësimeve nga raporti i Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar parakushtet për hapje të negociatave, vendi e përmbylli vitin pa mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila do të shënonte edhe fillimin e negociatave.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut thotë se institucioni që ai drejton ka arritur që t’i miratojë mbi 70% të projektligjeve që kanë shkuar në Kuvend.
Gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut ka kaluar në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe mbajti zgjedhjet lokale, çka sipas Xhaferit, ka ndikuar edhe në efikasitetin e punës së Kuvendit.