Westerlund: Integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës të bëhet në kuadër të dialogut
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Westerlund: Integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës të bëhet në kuadër të dialogut
foto-ambasador
02/02/2026 - 16:25
Linku u kopjua

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka kërkuar që integrimi i arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës të bëhet në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, raporton KosovaPress.

Ai në diskutimin që u mbajt për këtë temë në Qendrën Mediale të hënën, tha se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në 38 komunat në vend, mirëpo shtoi se integrimi në sistemin e Kosovës duhet të bëhet në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Ne besojmë se ligji i Kosovës duhet të jetë i zbatueshëm në 38 komunat. Dua të them që integrimi duhet të ndodhë në fund në këto çështje. Unë kam dëgjuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili thotë se mjekët serbë dhe profesorët kanë marrë licencat tona dhe kjo është një shenjë e mirë dhe shpresoj që qeveria në detyrë do të vazhdojë t’i shqyrtojë këto çështje. Të gjithë qytetarët duhet t’i marrin shërbimet e arsimit dhe shëndetësisë në përputhje me kërkesat e komuniteteve lokale. Mendoj se çështja me rëndësi është se nuk do të kemi pengesa kur kemi të bëjmë me shëndetin dhe arsimin… Kjo duhet të bëhet me dialog. Ne duhet të bisedojmë me komunitetet lokale dhe kjo duhet të bisedohet me përfaqësuesin special të BE-së. Ne konsiderojmë se kjo duhet të bëhet në kuadër të atij dialogu”, tha ai.

Integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës e konsideroi të pashmangshme edhe nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.

Mirëpo ai shtoi se duhet të gjenden modalitetet për të ndodhur në praktikë një gjë e tillë dhe të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

“Disa herë kam insistuar për fillimin e përgatitjes për këtë që e quajta më herët të pashmangshme nëse ndodh kjo. Kjo përmes gjetjes së modaliteteve të llojeve të ndryshme që do të ishin të përshtatshme për sistemin në këtë rast kosovar. Këtë fakt dua ta kujtoj se në secilën marrëveshje theksohej se marrëveshja do të jetë e harmonizuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Tash çfarëdo ngjarjeje që ndodh më vonë do të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë ka mbajtur një takim me ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku i ka paraqitur synimet për fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në Kosovë, duke kërkuar koordinim me Bashkimin Evropian. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026