LVV me kritika ndaj komunës së Mitrovicës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 ditë më parë
Linku u kopjua

Lëvizja Vetëvendosje-Dega në Mitrovicë, gjatë një konference për media të mbajtur sot para objektit komunal, ka kritikuar punën  e deritashme të pushtetit në Komunën e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga Partia Demokratike e Kosovës, sidomos mungesën e vazhdueshme të kryetarit të komunës, Bedri Hamza.

Armend Muja theksoi se qytetarët e Mitrovicës besimin ia kanë dhënë Bedri Hamzës dhe se ai besim nuk mund të transferohet te zyrtarët tjerë. Mirëpo, siç u shpreh ai, ky është stili i punës së Hamzës, i njohur edhe nga e kaluara e tij sa ishte udhëheqës në nivelin qendror.

"Qytetarët e Mitrovicës besimin ia kanë dhënë Bedri Hamzës dhe ai besim nuk mund të transferohet te tre-katër zyrtarë të cilët janë të rinj dhe pa kokërr përvoje e përgjegjësie. Por, delegimi i përgjegjësisë tek zëvendësit e tij është trajtë e zotit Hamza, është në stilin e tij, ashtu ka vepruar edhe si ministër, ashtu ka vepruar edhe kur është provatizuar KEDSMITROVICA-i, s'e ka bërë vetë, e ka bërë zëvendësi i tij, ashtu pati operuar edhe kur e ka paguar gjobën e Bechtel Enkës, po ashtu pati operuar kur janë bërë privatizimi i terminaleve, ky është stili i Bedri Hamzës. Dhe, unë jam i sigurtë se nëse ai është kaq i përkushtuar për t'u rikthyer në nivelin qendror dhe është shumë i sigurtë, është e rëndësishme të jap dorëheqje", ka thënë Muja.

Deputetja Arjeta Fejza e cila u përqendrua më tepër në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies, tha se kryetari Hamza pati ardhur në pushtet me premtime të fuqishme për arsim, shëndetësi e mirëqenie të përgjithshme të qytetarëve, ndërsa edhe pas tre vitesh mitrovicasit nuk mund të numërojnë asnjë reformë në këto sektore.

Ndërkaq, Faruk Mujka, anëtar i kryesisë së VV-së në Mitrovicë, duke kritikuar punën e deritashme të pushtetit në këtë komunë, potencoi se Mitrovica është i vetmi qytet, ku nuk ka ndodhur pothuajse asgjë gjatë këtyre tre viteve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024