Raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencës, Petrit Ajeti para Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka dështuar pas përplasjeve dhe mospajtimeve në mes të deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Derisa kjo mbledhje e jashtëzakonshme ishte ftuar nga deputetët e opozitës, ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje që këtë mbledhje e konsideruan të ftuar kundër rregullave.
Para anëtarëve të këtij komisioni, drejtori i AKI-së Petrit Ajeti ishte ftuar të raportonte lidhur me dyshimet për përndjekje të gazetarëve dhe mesazhet e Dejona Mihalit që tashmë kanë qarkulluar në publik.
Sqarime për mënyrën e ftesës së këtij takimi dha kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, e cila tha se kjo mbledhje e jashtëzakonshme është ftuar sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës.Mbledhja e komisionit ka vazhduar me përplasje në mes të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba.
Më pas, kryetarja e Komisionit Ganimete Musliu u shpreh se nuk do të lejojë “filma” nga pozita. Edhe Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje teksa theksoi se nuk kanë çka të fshehin si deputetë, theksoi se nuk kanë pas dakordim për të ftuar këtë mbledhje të jashtëzakonshme.
Pas këtij debati, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba bashkë me deputetët tjerë të kësaj partie e lëshuan mbledhjen e Komisionit. Ndërsa, Zyba ndër të tjerash u shpreh se “nuk ia bën argatin dreqit.”
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba tha se edhe temat për të cilën është ftuar për raportim drejtori i AKI-së nuk ndërlidhet me punën e këtij komisioni.
Deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj theksoi se kjo mbledhje është thirrur në vazhdën e atakimeve ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Lidhur me atë se drejtori i AKI-së e ka shkelur ligjin meqenëse e ka vazhduar diskutimin në komision në mungesë kuorumi, deputetja Musliu tha se ligji dhe rregulloja e Kuvendit lejon bashkëbisedim.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.