Vushtrria dënohet me një ndeshje pa tifozë pas sulmit ndaj gjyqtarëve dhe lojtarëve
Sport
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Vushtrria dënohet me një ndeshje pa tifozë pas sulmit ndaj gjyqtarëve dhe lojtarëve
Klubi i futbollit Vushtrria ka njoftuar përmes faqes zyrtare në Facebook se është dënuar nga organet disiplinore me zhvillimin e një ndeshjeje pa praninë e publikut, pas incidenteve të rënda në përballjen ndaj Trepçës ’89.
Sipas raportit zyrtar, gjatë ndeshjes pati hedhje të mjeteve të forta dhe shisheve PVC në drejtim të gjyqtarëve, ndërsa pas vërshëllimës finale u godit edhe një lojtar mysafir, veprime këto që kanë bërë që ndeshja e radhës si vendas kundër KF 2 Korrikut të luhet me dyer të mbyllura.
Ky njoftim vjen si një thirrje për reflektim nga drejtuesit e FC Vushtrrisë, të cilët nënvizuan se dënime të tilla penalizojnë klubin jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik.
Duke e parë veten si pretendentë seriozë për rikthimin në elitë, klubi kërkoi nga mbështetësit e shumtë që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin veprimet që dëmtojnë rëndë rrugëtimin e tyre drejt Superligës.
KosovaPress