Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se në bisedimet në Bruksel për gjithçka tjetër do t’i vazhdojë vetëm pasi të krijohet Asociacioni i Komunave Serbe.
Aleksandar Vuçiq ka komentuar njoftimin e Jozef Borellit se do ta ftojë atë dhe Kurtin në Bruksel për të shtyrë siç tha ai “planin” evropian për Kosovën.
I pyetur nga një gazetar që të komentojë faktin se Albin Kurti ka numëruar se janë 11 kryetarë komunash në Serbinë qendrore që nuk janë të kombësisë serbe dhe se Serbia nuk u jep atyre asociacine kombëtare, Vuçiq tha se kjo është "marrëzi dhe pafytyrësi".
“Marrëzi dhe vrazhdësi, por nuk do të flas më për këtë, ai do të donte të barazonte statusin juridiko-politik shtetëror të Republikës së Serbisë me atë që ai e quan Republika e Kosovës, por njerëz ne jemi duke biseduar pikërisht sepse nuk është njësoj, nuk ke çfarë të flasësh ti për Serbinë qendrore, ne kemi një temë për të folur dhe kjo është e vetmja temë në tryezë”, tha Vuçiq.
“E di që nuk planifikojnë ta formojnë AKS. Dhe tani të shohim se çfarë do të bëjnë amerikanët, evropianët dhe të gjithë të tjerët”, theksoi presidenti.
Ai tha se nëse mendojnë të diskutojnë për diçka seriozisht, atëherë Asociacioni i Komunave Serbe duhet së pari të zbatohet në përputhje të plotë me katër marrëveshjet tashmë të nënshkruara dhe të pranuara në Bruksel.