Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka falënderuar publikisht Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) për raportin lidhur me protestën masive antiqeveritare të 15 marsit 2025 në Beograd. Këtë fundjavë, Vuçiq e përdori këtë raport për të mohuar pretendimet se forcat serbe të sigurisë përdorën armën akustike, të njohur si “top zanor”.
Gjatë një deklarate më 21 qershor, Vuçiq duke falënderuar FSB-në, tentoi të vë në pikëpyetje kredibilitetin e kritikëve të raportit.
Deklarata vjen në një kohë kur Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka nisur një hetim mbi pretendimet se incidenti i 15 marsit mund të ketë qenë rezultat i një simulimi të organizuar paraprakisht nga pjesëmarrës të protestës.
Kjo qasje është kundërshtuar ashpër nga lëvizja studentore, e cila e ka cilësuar hetimin si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për të larguar vëmendjen nga pyetja kryesore: çfarë ndodhi realisht gjatë protestës.Për të mbështetur këtë qëndrim, Beogradi ftoi FSB-në ruse të kryente një hetim teknik. Raporti i publikuar më pas në faqen e Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA) arriti në përfundimin se nuk kishte prova për përdorimin e një “topi zanor”.
Megjithatë, raporti rus shkaktoi polemika të shumta. Dokumenti u publikua pa nënshkrim, ndërsa hetimi përfshinte eksperimente me pajisje akustike të policisë serbe dhe teste mbi kafshë, përfshirë qen, metodologji që u kritikua nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile në Serbi kanë mbledhur më shumë se 3,000 dëshmi nga qytetarë që ishin të pranishëm në protestë. Shumë prej tyre raportuan se dëgjuan një zhurmë të pazakontë dhe ndien një valë force që shkaktoi panik masiv, duke detyruar mijëra protestues të largoheshin me nxitim nga rrugët e kryeqytetit.
Insistimi i Vuçiqit në raportin e FSB-së përfaqëson një tjetër shembull të mbështetjes politike dhe institucionale që Moska i ofron autoriteteve serbe në çështje të ndjeshme të brendshme.
Për ta, Rusia nuk u paraqit si hetues i pavarur, por si një aleat strategjik që ndihmoi në mbrojtjen e narrativës zyrtare të Beogradit për një nga ngjarjet më të diskutueshme të vitit 2025.